Dyshimet se Vladimir Putin nuk është në gjendje të mirë shëndetësore janë shtuar teksa presidenti rus ka shfaqur disa herë gjatë daljeve në publik shenja si dridhje e duarve apo këmbëve.


Gjatë një fjalimi që mbante në një ceremoni çmimesh në Kremlin, këmbët e Putinit duket se lëvizin në mënyrë të pakontrolluar.

69-vjeçari më pas hasi vështirësi për të mbajtur ekuilibrin, teksa mbështeti dorën te foltorja dhe ndau çmimin për regjisorin Nikita Mikhalkov.

Disa javë më parë, një oligark që ka lidhje të ngushta me presidentin rus, identiteti i të cilit, për arsye sigurie nuk bëhet publik, tha se Vladimir Putin është “shumë i sëmurë me kancer në gjak”.

Sipas The Independent, oligarku u regjistrua duke diskutuar shëndetin e Putinit me një sipërmarrës perëndimor në mesin e muajit mars.

Publikisht Kremlini vazhdon të deklarojë se Putini është mirë, por masat e tij të rrepta gjatë pandemisë dhe përdorimi i një tavoline të gjatë për të takuar udhëheqës të tjerë politikë i kanë forcuar thashethemet.