Presidenti i SHBA’së, Joe Biden, administrata e të cilit është në hall me çmimet e larta kur inflacioni ka arritur shifrën rekord prej 8.5 % raportohet se konsideron heqjen e tarifave të vendosura nga ish presidenti Trump ndaj disa mallrave kineze.


Në gusht të 2017’s Byroja e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA’së kishte nisur një hetim rreth disa praktikave të dyshuara si diskriminuese të vendosura nga Kina. Në mars të 2018’s, administrata Trump kishte deklaruar se kishte me të vërtetë praktika të paarsyeshme apo diskriminuese, pastaj i vendosën tarifa shtesë.

Të martën media amerikane Axios ka raportuar se presidenti Biden po mendohet që të urdhërojnë Përfaqësuesin Tregtar të SHBA’së të nisë një ‘proces formal të përjashtimeve’ për të zbuluar nëse ka mallra konsumuese, siç janë biçikletat, që mund të përjashtohen nga tarifat e Seksionit 301.

Axios ka theksuar se ka pak gjasa që presidenti Biden t’i heqë tarifat në mallrat e mëdha industriale si çeliku dhe alumini në këtë proces.

Këto tarifa mbulojnë 350 miliardë dollarë të mallrave të importuara nga Kina, tha Axios.

“Nuk është marrë ndonjë vendim” i ka thënë Axios një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. “Presidenti po diskuton me ekipin e tij që të sigurohet se tarifat janë në linjë me prioritetet tona ekonomike dhe strategjike, siç janë mbrojtja e interesave të punëtorëve, siguria kombëtare, dhe sigurimi se nuk po i rriten shpenzimet qytetarëve amerikanë pa nevojë”.

Në muajin maj, Biden i ka thënë reporterëve se “ne nuk i kemi imponuar asnjë prej atyre tarifave. Ato ishin imponuar nga administrata paraprake, dhe ato janë nën konsideratë”.

Sindikatat e punëtorëve nuk e miratojnë dëshirën e Biden për të reduktuar tarifat ndaj Kinës: në fillim të muajit presidenti i punëtorëve të bashkuar të çelikut, Thomas Conway ka dorëzuar një koment zurtar në Zyrën e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA’së, ku theksohet që këto tarifa duhen vazhduar. Ai kishte theksuar vjedhjen e pronës intelektuale dhe detyrimin me forcë të bizneseve nga autoritete kineze për të dorëzuar pronën e tyre intelektuale ka pasur një ndikim të madh dhe minues në industrinë vendore amerikane dhe fuqinë e saj punëtore.

Kjo vjedhje e pronave intelektuale të SHBA’së përllogaritet të jetë në qindra miliarda dollarë vlerë në vit. Por këtu nuk llogariten mundësitë e humbura, fabrikat e mbyllura, të papunët dhe heqja e mundësisë për të garuar në tregun e të ardhmes.