Urim SALIHU


Të gjithë revoltën tonë e kemi shënjestruar te politika por aspak nuk jemi më mirë si shoqëri. Duhet të kemi gabuar rëndë diku që kaq egërsisht moti po na paralajmëron në seri vërshime që nuk kanë të ndalur. Përmbytje, zjarre, rrënim.
Ku kemi gabuar që mallkimi i motit të keq po na godet me gjithë forcën?! Na merr jetë njerëzish, na shkatërron vendbanimet tona, na trazon pa e kuptuar se çfarë shkoi keq?!
Nuk ka mundësi që tragjeditë serike janë një paralajmërim për ne se e keqja jo që nuk ka përfunduar, por ka të ngjarë që kjo të jetë shumë më pak nga çfarë do shohim. Kemi frikë të vijë Vera. Kemi frikë të shohim mjegulla të dendura që paralajmërojnë stuhi ,kemi frikë se një goditje më e madhe do na fundosë. Pastaj shajmë politikën gjithnjë. Kemi këtu të drejtë por nuk është vetëm kjo. Më fakt nuk janë vetëm ata që ndjellin e krijojnë këtë ters.Është më shumë se kaq. Është tek ne burimi i së keqes që përsëritet.

Sepse ne kemi harruar të lutemi. Ne kemi humbur humanitetin, kemi humbur rrugën e Zotit.Jemi shndërruar një shoqëri egoiste, të ndarrë thellësisht me njëri-tjetrin, të inatosur pafundësisht po me njëri-tjetrin. Dhe në zemrat ku qëndron urrejtja gërryese është paralajmërimi që na dërgon Zoti, se po nuk ndryshuam këtë gjendje, ditët do t’i kemi më të errëta.
Ne kemi gabuar diku dhe ky mallkim është si ura e shenjtë. Por kjo nuk është një legjendë, është një gjendje ku shoqëria ka hyrë në rrugë të verbëra, ku mijëra të rinj përdorin drogë, ku prostitucioni lulëzon, ku ekranet janë mbushur me striptizerka, ku njerëz më shumë mbushin kafenetë se në ditët e rëndomta në muajin e shenjtë të Ramazanit, ku njerëzit në vend që të falen , shpërdorin kohën për gjëra bezdisëse dhe banale.
Ky dënim na vjen nga Zoti sepse ne po largohemi nga rruga e tij çdo ditë e më shumë duke na joshur luksi i jetës që është i përkohshëm, që mbaron, që tretet.

Autori është redaktor në TetovaSot