Vitet e stuhishme 1988 -1989 dhe rizgjimi i LPRK-së!

​Janari i vitit 1988 Kosovën e gjeti në gjendje të acaruar politike, pasi pushteti kuisling në Kosovë kishte ndërruar Flamurin Kuq e Zi, duke i vënë një yll të madh komunist anash shqiponjës dykrenore. Më 05 dhe 06 shkurt 1988 shumica e qyteteve në Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni, u gdhinë të stolisura nga traktet dhe parullat e shkruara nga LPRK, përmes të cilëve edhe në këto kushte të rënda okupimi po tregonin se nuk do të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre për liri dhe për Kosovën Republikë.


Trakti njoftonte opinionin për diskriminimin e popullit shqiptar si dhe bënte thirrje popullit shqiptar që të mos pranojë ndryshimin e Flamurit kombëtar, por edhe diskriminimin e nxënësve shqiptarë në shkollat fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë.

Më 26 mars 1988, LPRK, D.J.V, organizoi një demonstratë para ndërtesës së OKB-së në Gjenevë, në përvjetorin e shtatë të fillimit të demonstratave të pranverës së vitit 1981.

Gjatë vitit 1988, pati arrestime të shumta të veprimtarëve shqiptar, veçanërisht arrestimi dhe vrasja e ushtarëve në Armatën Jugosllave, siç ishte rasti i montuar i grupit të Paraqinit në krye me Aziz Kelmendin, Riza Xhaklin etj, ndërsa në Lubljanë u arrestua veprimtari i LPRK-së, Agim Bajrami.

Më 29 gusht 1988, në Kumanovë, qindra nxënës dhe mësues u ngritën në demonstratë për të mbrojtur shkollën dhe gjuhën shqipe ngase pushtuesi Maqedon, i nxitur edhe nga ai serb, kishte marrë vendim për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe.

Masa e popullit që vinte në debat sa vinte e rritej, dhe pas pak filluan të brohoritnin, me një zë: “Duam shkollat shqipeʺ, “Më mirë në varr sesa pa shkollë”, ,, Rroftë gjuha shqipe“ dhe parulla tjera. Në demonstratë morën pjesë mbi 5 mijë nxënës të shkollës së mesme, profesor, prind dhe qytetarë të Kumanovës.

Pas demonstratës u burgosën mbi 300 demonstrues, ndërsa 13 prej tyre u dënuan prej 5-8 vite burg dhe qindra të tjerë me nga 60 ditë burg.

Muajt e fundit të vitit 1988 dhe tri vjet pas, janë një nga periudhat më komplekse të historisë së Kosovës.

Gjatë demonstratave të 18 – 21 nëntorit të vitit 1988, kur qindra e mijëra të rinj e të reja, student e punëtorë kishin dalë në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, në ballë të së cilës ishin Minatorët e Trepçës, Edhe në këto protesta gjithë popullore pati brohoritje të parullave “Kosova Republikë”, “Rroftë populli shqiptar” etj.

Turma, e cila veç sa vinte e rritej, nga kolonat që vinin nga të gjitha anët, mbetën para Komitetit Krahinor deri në orën 02:00 pas mesnate, duke brohoritur, “Para Komitetit, deri në mëngjes”.

LPRK, këto demonstrata paqësore, por shumë të rëndësishme, nga këndi i saj i vlerësonte si rrethana të volitshme për të vazhduar me demonstrata dhe greva në të ardhmen.

Shkaktar për të protestuar ishte vendimi me diktat dhe presion i Serbisë për të shkarkuar udhëheqjen e Krahinës së Kosovës.

Sipas LPRK-së, demonstratat e këtij nëntori të popullit shqiptar në RSFJ, kanë karakter popullorë, përparimtar dhe liridashës.

Demonstratat ishin të orientuara kundër ndryshimeve reaksionare të Kushtetutës së vitit 1974, kundër marrjes së Autonomisë, etj.

LPRK, përmes Komunikatave që shpërndante, u bënë thirrje popullit shqiptar edhe për vazhdimin e luftës përmes sabotimit të pushtetit serb, pengimit të ardhjes së kolonëve të rinj në Kosovë etj.
​Nga Tryeza e diskutimeve kushtetuese të TV Prishtinës: ,, Çështjet e harmonizuara nuk cenojnë autonominë”, në kuadër të përfundimit të debatit kushtetues rreth propozimit të amendamenteve në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë, Kosovës do t’i merrej e drejta e vendosjes me çka, juridikisht KSAK, kthehej në OBLLASTIN e dikurshëm Serb.

Për të kundërshtuar këtë qasje të klasës kuislinge të Kosovës dhe vendimet e Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë më 20 – 28 shkurt 1989, rreth 1500, Minatorë të Trepçës u hodhën në grevë 8 ditëshe në horizontin e 8, 9, 10 të Minierës së Trepçës. Grevat e Minatorëve të Trepçës u organizuan nga LPRK-ja dhe u përkrahën edhe nga studentët e UP-së.

Minatorët, studentët dhe inteligjencia Kosovare, paraqiti kërkesat e saj prej 10 pikash, ndër të tjera edhe atë për ruajtjen e parimeve themelore të Kushtetutës së vitit 1974, kërkesën për shqyrtimin e fatit të shqiptarëve në Jugosllavi, si dhe dorëheqjen e udhëheqësve marionetë të LKK-së: Rrahman Morina, Ali Shukriu, Husamedin Azemi, Skender Karahoda, Hazër Susuri, Syrja Pupovci dhe Tefik Llugiqi.

Më 21 shkurt 1989, 215 intelektualë shqiptarë të Kosovës, nënshkruan një APEL, i cili bënte të ditur dhe ftonte opinionin publik të Jugosllavisë për rreziqet që i kanoseshin Autonomisë së Kosovës. Apeli mbronte Kushtetutën e vitit 1974. Megjithate më 23 mars 1989, Sllobodan Millosheviqi me dhunë ushtarake dhe policore rrënoi Autonominë e Kosovës.

Këtë mbledhje e ndoqën mbi 180 gazetar, fotoreporter e xhirues nga mbarë vendi, ndërsa për gazetarët e huaj u organizua Konferencë shtypi pas mbledhjes së Kuvendit.

​Kundër këtij ndryshimi ishin deputetët: Melihate Tërmkolli, Sadik Zuka, Ukë Bytyqi, Shkelzen Gusia, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Riza Lluka, Bajram Buqani, Mehdi Uka dhe Agim Kastrati. Heqja në mënyrë të dhunshme e autonomisë së Kosovës, u shoqërua me demonstrata të cilat, po atë ditë më 23 mars 1989 u organizuan nga studentët e UP-së, të cilët u përleshën me njësitë speciale të policisë jugosllave. Protestat vazhduan edhe në ditët në vazhdim anë e mbanë Kosovës. Në këto demonstrata mbetën të vrarë 19 demonstrues dhe u plagosë qindra të tjerë.

Më 28 mars 1989, regjimi Serb i Millosheviqit, vendosi gjendjen e jashtë zakonshme në tërë territorin e Kosovës, izoloi 300 intelektual Shqiptar si dhe burgosi me qindra të rinj e të reja. Më 21 prill 1989, në Divjakë të Malishevës, në shtëpinë e Nezir Zogajt, u mbajt Mbledhje e Parë e jashtëzakonshme e LPRK-së, brenda vendit. Raportin me titull “Situata politike në Kosovë e më gjerë” u lexua nga Sekretari Politik Fadil Vata.

Mbledhja zgjodhi Fadil Vatën, Sekretar Politik, Sabri Kiçmarin, Sekretar Organizativ dhe Beqir Beqën, Sekretar për Propagandë dhe Agjitacion. Konferenca e Parë organizative mori vendim që të organizohen demonstrata me rastin e ardhjes së Parlamentit Evropian në Kosovë, të organizohet edhe më tutje rezistenca popullore si grevat, demonstratat, sabotazh ekonomik e bojkot tregtar.

Gjatë kësaj periudhe në kuadër të LPRK-së formohet edhe sektori ushtarak, i cili punonte në përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur, si opcion i fundit për zgjidhjen e çështjes shqiptare të robëruar.

LPRK, kishin shkruar dhe shpërndarë një Trakt në të cilin i bëhet thirrje popullit për të dalur në demonstratë më 30 maj 1989, ditën kur një delegacion i Parlamentit Evropian kishte ardhur në Kosovë, me qëllim që të shihnin nga afër zhvillimet në Kosovë, pas shfuqizimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës.

Më 30 maj 1989, në ora 20 :00, në qendër të Prishtinës thirrjes do t’i përgjigjeshin shumë militantë të LPRK-së, student, punëtorë dhe nxënës.

Parlamentarët erdhën në Kosovë dhe nën organizimin e LPRK-së në Prishtinë, para Hotelit Grand shpërthyen demonstratat në të cilën u brohorit parulla “Parlament, mos lejo aparteid“ dhe parulla tashmë e njohur, ,, Jo jo, Serbi, nuk do të jesh Perandori“. Parlamenti Evropian e kuptonte fare lehtë se Kosova ishte e pushtuar.

​Gjatë një aksionit të shpërndarjes së trakteve janë arrestuar disa veprimtarë të LPRK-së. I cili bëri që të rrezikoheshin edhe Fadil Vata dhe Afrim Zhitia.
Në fillim të tetorit 1989, në Kosovë, mbahet mbledhja e Komitetit Drejtues të LPRK-së. Në këtë mbledhje u vendos që, LPRK të organizoj demonstrata ditën e fillimit të procesi gjyqësor kundër dy udhëheqësve të Trepçës, Burhan Kavaja dhe Aziz Abrashi, të cilët akuzoheshin për organizimin e grevave të minatorëve, u aprovua plani i ristrukturimit të organizatës dhe masat që duheshin ndërmarrë për të parandaluar arrestime e reja nga UDB-ja.

Për Afrimin, u vendos që pas sistemimit të të gjitha lidhjeve dhe përfundimit të procesit të ristrukturimit të kalojë jashtë vendit.

Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPRK-së, u vendos që të mbahet në Zvicër në pjesën e dytë të tetorit të vitit 1989.

MDP e LPRK-së, analizoi punën dy vjeçare të saj dhe shtroi detyrat për dy vjetët e ardhshme. Në Mbledhje u aprovua raporti i K.P, të LPRK-së si dhe raporti i Kolegjiumit të Redaksisë ,, Zëri i Kosovës”.

​Pas kësaj mbledhje, LPRK, më 1 nëntor 1989, në Prishtinë kishte organizuar një demonstratë të fuqishme kundër riokupimit që po i bëhej Kosovës.

Në këto protesta gjithë popullore ishte dalluar, Afrim Zhitia, i cili në këtë kohë ishte udhëheqës i LPRK-së.

Gjatë protestave të asaj dite nëntori, u vra Bedri Sokoli.

Protestat vazhduan edhe të nesërmen me 2 nëntor 1989.

Pasi protesta kishte përfunduar, pushtuesi u kishte rënë në gjurmë Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut dhe në orët e vona të pasdites, ata do të gjenden të rrethuar në banesën e Fahriut në Breg të Diellit. Qëndresa e dy viganëve të kombit, udhëheqës të LPRK-së ishte e madhe, Ato çaste lufte, Bregu i Diellit ushtonte nga pushkët e Afrimit e Fahriut.

Pas një lufte të pabarabartë disa orëshe, pushkët e trimave e ndalën ushtimën, e gjaku i tyre i rënë për atdhe u bë dritë lirie dhe udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rënia e tyre heroike, ngriti në këmbë djalërinë Revolucionare të Kosovës, e cila nuk u ndal asnjëherë deri më 12 qershor 1999, kur Kosova u çlirua nga zgjedha dhe okupimi njëqind vjeçar serb. Gjatë demonstratave u vranë tre, u plagosën me dhjetëra dhe u burgosën qindra demonstrues.

Vetëm në Ferizaj brenda ditës, më 31 tetor, u burgosën 33 veta.

Rënia e Afrimit dhe Fahriut, emigrimi i Fadil Vatës dhe Bardhyl Mahmutit, si dhe i disa veprimtarëve të tjerë, fillimisht u rrezikua edhe aktiviteti politik i fshehtë i LPRK-së.

Megjithate veprimtarë të LPRK-së si Ramandan Avdiu, Ilaz Kadolli, Behajdin Allaqi, Ismet Sylejmani, Halil Selimi, Arif Seferi etj, vazhduan veprimtarinë e LPRK-së dhe rrugën e çlirimit e të propagandimit të programit politik të LPRK-së. Sekretariati i LPRK-së në përbërje: Ramandan Avdiu, Behajdin Allaqi, Halil Selimi dhe Ismet Sylejmani, vazhduan veprimtarinë e LPRK-së dhe rrugën e çlirimit duke bashkëpunuar edhe me veteranët e LPRK-së, Ahmet Haxhiun dhe Arif Seferi, i cili si anëtar i LPRK-së, bënte përpjekje që, kërkesa për Republikën e Kosovës, dhe viset shqiptare në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi të bëhej realitet.

Mr.sc. Metush Zenuni -Historian
30 maj 2022 – Zvicër