Florim AJDINI
“Gjuha ngjiz kombin”, pati thënë i madhi Konica! Në thënien e tij, sot shikojmë një “uniformizim radikal kaotik gjuhësor”, të natyrës ekspansioniste, që sa vjen e më fuqishëm godet natyralitetin dhe pasurinë leksikore të gjuhës tonë. Kësaj shtylle parësore të identitetit tonë kombëtar, tanimë në “gjendje të një lisi në shkundje të vazhdueshme!”
Mund t’i shpëtohet kësaj stuhie çorroditëse, e cila na ka mbërthyer në mesin e shkretëirës së trazuar të globalizimit multidimensional, përpara të cilit në pavetëdije dhe në dementia kulturore, po gjunjëzohemi? Shkretëtirës që mbisundohet nga stuhi të njëpasnjëshme të “konvencionaliteteve gjuhësore”, qofshin ato si rezultat i ndikimeve multidimensionale globale, apo i atyre ndikimeve të padashura pesëshekullore, që degjeneruan përbërjen e gjenit tonë identitar, duke synuar një fshirje përfundimtare të Shqipes, nga faqja e dheut?
Normalisht, kjo nuk mund të jetë tjetër, përveç se një koncept segregacional pesëshekullor, që në vazhdimësi u implementua nga ksenofobët Grekë të udhëhequr nga Megali ideja e tyre, e ndihmuar dhe përkrahur nga grekofilë e grekomanë të gjenetikës biologjike shqiptare! Po i njëjti koncept, por me një kompleksitet edhe më segregacional se sa i pari, ishte ai që ishte inzhinjeruar dhe strukturuar gjatë një legasie sunduese, që do zgjaste për pesë shekuj me rradhë! Madje, deri në vitin 1912 kur i “sëmuri i Bosforit” u largua nga Ballkani, që më në fund, akoma i pakënaqur me gjakun Ilir, Shqipërisë së rrjepur, t’ia “ndërsente hordhitë sllavo-greke”, për ta fshirë këtë popull e gjuhë, përfundimisht nga faqja e dheut!
Por “saga segregacioniste gjuhësore shqiptare”, fatkeqsisht nuk përfundonte këtu! Ndikimet pesëshekullore, kishin depërtuar thellë në “gjenin tonë biologjik”, religjioz dhe kulturor, me theks të veçantë bë gjuhën tonë, që burazerlluku i asaj epoke të gjatë, të rikthrhej, kurdo që për këtë mundësi të hapeshin dyert. Në çdo epokë të historisë, madje aq më tepër dhe më fuqishëm, pas rrënies së Komunizmit, me ç’rast ai në formë pasive, tw pozicionohej nën ombrellën e “burazerllëkut të madh anadollak.” Këtij “institucioni diskriminues” të Stanbollës ndaj Arnautëve të tij! Thjeshtë sepse “miqësia e madhe ndërvëllazërore”, do riaktivizohej edhe më tej, duke pasur parasysh mbetjet e asaj legasite dekadente e shkatërruese, që shtrihej gjithandej trojeve Shqiptare, përfshirë këtu, Shqipërinë Kosovën, Maqedoninë, Epirin e djegur dhe pastruar nga Shqipatarët, që ky projekt “ jashtëkohor antishqiptar” të mos ishte mbyllur vetëm me marrëveshjen famëkeqe të Lausannes, në vitin 1924! Më pas, edhe më zi! Pasuan pastrimet e trojeve Shqiptare, në hapësirat e ish Mbretërisë dhe ish Jugosllavisë, që njihen si pastrimet etnike të trojeve nga “ turqët muslimanë”, autorë të së cilëve ishin emrat e tmerrit si Pashiqi, Andriqi, e të tjerë. Projekte këto, që gjithnjë të përkrahur nga burazerllëket turke dhe sllave, nga fillimi i shekullit XIX-të deri në vitet e gjashtëdhjeta, të shekullit që lamë pas, numëruan një million e gjysëm Shqiptarë të fshirë nga Ballkani, të vendosur në Turqinë dhe Anadolin e saj të largët.
Sot, pas 30 vitesh së rënies së Komunizmit, regjim ky që për një gjë të vetme, nuk do ta quaja perbindësh, sepse kur ishte në pyetje identiteti kombëtar, kishte kode që nuk thyheshin! Kode këto që kultivuan gjuhën standarde, shkollat, kulturën, kinematografinë, që të gjitha sipas modelit të një shteti të proporcioneve të mëdha, si puna e një Italie, France, apo Gjermanie. Një mënyrë e qartë e luftës për shpëtim të qartë të identitetit dhe asaj që nga shqiptaria, kishte ngelur! …dhe tani, për tre dekada me rradhë në “vendin e krimit ritakojmë autorin!” I njëjtë është ai! Veshur me petkun e njëjtë është ai! Ujku nën lëkurën e qingjit, do thoshin “rilindasit e vonuar si puna ime!” Me taktikë të njëjtë vepron ai. Sot e ka madje shumë më të lehtë. Interneti, tregëtia e hapur, lëvizja e njërezve drejtë “atdheut të burazerëve tanë”, ekonomia e tyre në rritje krahasuar me tonën, që është vetëm imagjinare dhe fiktive sa më s’ka, etj! Gjuha jonë, përsëri, ashtu siqë ishte edhe planifikuar, po i nënshtrohet ndikimit të tyre të rikthyer me “sharzherin mbushur përplot!”. Ai për rajonin nuk paraqet ndonjë kërcënim të një natyre të vrazhdë. Ndërsa për ne Shqiptarët, ndikimi në fjalë është i karakterit multidimensional, i cili synimet e tija, si gjithmonë, i arsyeton me ombrellën e vëllazërisë së madhe dhe mbrojtjes apo ndihmës ushtarake për t’i mbrojtur burazerët shqiptarë dhe dy shteteve të brizhta, që identifikojnë ata, në sytë e demokracisë perendimore!
Atëherë, cili do ishte modeli sipas të cilit do funksiononte kjo “strategji konvencionale e akulturimit të shqiptarëve”, krahasuar me shekujt e kaluar? Perfiditeti i saj, nuk funksionin bazuar në veprime që burojnë nga marrëvrshje institucionale siqë bëheshin dikur ndërmet Turqisë, Serbisë Greqisë dhe Rusisë! Strategjia në fjalë, tanimë ne funksionim të plotë, operon bazuar në marrëvrshje të pa nënshkruara, madje virtuale, marrëveshje të pahedhura në letër, që sillen rrotull ndër ne shqiptarët, që kontrollojnë dhe derdhin lotë krokodilli për dashurinë e tyre ndaj nesh dhe për sigurinë tonë kombëtare, që tanimë, ka do kohë që e kanë marrë përsipër! Marrëveshje blanko, që si për çudi, hë për interesa politike vëllazërore, hë për përkrahje ekonomike, hë për bashkëpunim vëllezëror, fetar e çka me jo, marrin haraçin e tyre, ngadalë por sigurtë!
A mundemi t’i bëjmë ball stuhisë që ngadalë po ndryshon dhe shkatërron gjuhën tonë të vjetër natyrore!? Në epokën e globalizimit nëpër të cilën po kalojmë edhe ne shqiptarët, edhepse jo të gjithë, përpiqemi në nje mënyrë ose tjetrën, të shpëtojmë mvetësinë leksikore të gjuhës sonë! Në po të njëjtën gjendje ndodhen edhe më shumë popuj të tjerë, qofshin të vegjël apo të mëdhenj. Por disi tek ne shqiptarët, ky ndikim karakterizohet me nje “uniformizim multidimensional të leksikut”, duke hapur dyert gjërë e gjatë pwr pwrqafimin e fjalëve të huaja, madje edhe në raste kur për to nuk na nevojë fare! Thjshtë, ato përqafohen sepse janë vëllazërore, janë të burazerlukut të madh pesëshekullor!
Duke qenë vetë edhe aktorë të interaktivitetit ndërmjet gjuhëve me të cilat ndeshemi, krijojmë koncept komunikimi i cili leksikisht është i një modeli konvergjent multidimensional, me c’rast, Shqipja ështe viktima e parë, në shënjestër të tjetërsimit leksikor! Interaksioni ose ndërveprimi ndërgjuhësor, sjell pushtetin aktiv të shterjes së aftësive komunikative në gjuhën amtare ! Qoftë kjo në formë formale apo informale ! Pra, kognicioni leksikor i fjalëve, thirrja e tyre nga memorja, dobësohet, për shkak të ndikimit të leksikut të fjalëve të huaja si ato Turke, Angleze, Italiane dhe Greke! Këtu në rradhë të parë kemi të bëjmë me «krijimin e një identiteti gjuhësor », sipas modelit të epokës së kolonializmit aktiv, ku rast konkret është Hong Kongu dhe shumë vende të tjera, ku banorët, Anglishten e kanë gjuhë të parë për komunikim. Kur është në pyetje « uniformizini gjuhësor », ndikimi më i fuqishëm aktiv është ai që ushtrohet nga bota Anglo-Saksone dhe efekti globalizues i saj mbi Shqipen! Por kjo nuk dmth që gjuhë të tjera, nuk ushtrojnë një ndikim të një fuqie të njëjtë! Një ilustrim i këtillë në « terrenin e minuar të luftës ndërmjet gjuhëve », aktor serioz, tanimë është rikthimi i Turqishtes ! Ajo madje ka përparësi ! Falë institucioneve tona, asaj sot « i janë hapur dyert gjërë e gjatë .» “Shkolla prestigjioze” zyrtarizim i saj jozyrtar, nëpër qytete të ndryshme, në krahë të qingjit të butë, imigrim nga fshati në qytete, dhe pranim i saj si gjuhë e modelit “a la franca”, që rikthen kohën e kasabave ku malësori sykaltërt dhe qytetari që nuk fliste këtë gjuhë të çarshive kasabeske “à la anadolica”, konsiderohej katunar! Sa më pëlqen ky status! Sikur të ishim të tillë! E njëjta strategji, po implemetohet në heshtje, në jugun e shtetit Shqiptar, madje ajo është në ekspansion eksplodues. Kjo sepse, nëse të rastis të udhëtosh në këto anë të trojeve tona, nëse flet Shqip, shpesherë, nuk ta var veshin njeri! Thjeshte, edhe këtu duhet të flasësh gjuhën e civilizimit që ndryshoi botën! Këto ndikime, ngadalë po rikthehen për të zënë vendin e tyre te merituar, vendin të cilin definitivisht nuk e meritojnë! Këtë privilegj, për motive milionngjyerëshe, që madje as Freud nuk do mundej ti analizonte për t’i definuar përfundimisht, i mundësojnë kategoritë e ndryshme të Shqiptarëve të paditur por edhe formalisht të ditur, që mirëpresin akomodimin e tyre në komunikimin formal dhe atë informal, të përditshmërisë sonë!
Është kjo një situatë që mund të krahasohet me pacientin e diagnostifikuar me kancer, i cili është lënë në duart e mjekut që përshpejton ilegalisht diten e vdekjes së tij. Mund të na duket ky një definim që vjen si rezultat i rezonimit filozofik të një absurdisti egzistencialist të natyrës pesimiste, do thosha, por përsëri marr guximin dhe them që potenciali i kognitiv i mendjes time, ma thot që sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë hapësirë të arealit leksikor shaiptar do humbasim! Do rrezikojmë në “humbjen e emrit dhe gjuhës sonë të shtrenjtë!” Po kthehemi edhe më fuqishëm në historinë e trishtë të së kaluarës, që sot edhe një herë si po duket shtrenjtë e paguajmë! Injoranca ndër intelektualë, është armiku më i madh i gjuhës sonë të vjetër. Miqtë e saj, janë injorantë që nuk e dijnë që janë injorantë, ndërsa miqtë tjerë të këtyre të fundit, janë ato të luksit multidimensional! Jemi ne, ato që Shakespeare, apo Molière, do na quante “vrasësit e paguar të gjuhës sonë të nënës, fëmijët e Zonjës së rreckajve, që përbuzet nga rrethi ku ajo sillet.”
Le të jetë titulli i këtij shkrimi një “hashtag i fuqishëm ndërgjegjësimi”, por jo urrejtjeje ndaj autorit të tij! Një “hashtag” që reflekton mbi qindra shembuj banalë të metamorfozës së leksikut tonë, sipas modelit të “veturës që u bë rrabë!” Të këtij leksiku i cili zëvendësohet me fjalë të panevojshme orientale, që tanimë me “kodifikimin jozyrtar të tyre nga ana jonë”, po përhapen me të madhe ndër ne! Përhapja dhe përdorimi i tyre, madje nuk i pengon aspak shqiptarët. Prototipi i ri gjuhësor i Shqipes, po krijohet, si pasojë e këtij fenomeni dekadent, që po zhvillohet jashtë kontrollit të vetëdijes tonë. Këtij fenomeni që Shqipen, këtë gjuhë të vjetër dhe unike, ngadalë dhe sigurtë, po e “pixhinizon!” Po e shëndëron atë në një variacion, që madje kur flitet nga “komunitete të silhouettave antieuropiane dhe antishqiptare”, të krijohet përshtypja sikur të jetosh në një rreth, ku po krijohet një identitet kulturor tjetërfare! Një identitet gjuhën e të cilit më nuk arrijmë ta kuptojmë! Të bën të ndjehesh si pjesë e një rrethi që të sjell para sysh skenare të kontrolluara nga erërat e fuqishme të shkretëtirave të largëta! Ambiente kulturore nomade këto, që me pluhurin e tyre, shkatërrojnë gjithçka që u del përpara! Në qendër të akteve të dramës që po ndodh, ka kohë që po krijohet një “komunitet me një identitet të ri kulturor!” Një identitet përtej identitetit të gjenezës tonë gjuhësore! Identitetit që e kultivuam përgjatë mileniumeve të gjata të sagës sonë të maktheve të dhimbshme të mbijetesës si komb!
Të kllapitur nga një heshtje makabre, po shëndërrohemi kështu në “linguicidë të vlerës tonë më të shenjtë kulturore!?” Fatkeqsisht që po! Dhe kjo po ndodh në epokën kur për t’i ikur kësaj katrahure, duket të jetë më e lehtë se kurrë! Por përsëri, le të mbetet “Quo vadis”, synimi i këtij rrugëtimi të trishtë, që si për çudi, tanimë nuk ka të ndalur! Që si për çudi, tanimë askush madje as STOP nuk mundet t’i thotë. Globalizohemi apo izolohemi në “botën e kasabave tona të së kaluarës”, me kokën kthyer andej nga nuk duhet? Kjo është pyetja miliondollarëshe!