Sot do të mbahet seanca e radhës ndaj krerëve të UÇK-së në Speciale.

Edhe kjo seancë, do të jetë konferencë mbi ecurinë e çështjes, shkruan lajmi.net.

Në të pritet të diskutohen çështje të ndryshme, e ndër të tjera edhe çështja e kërcënimit të Dick Martyt nga intelegjenca serbe.

Kjo çështje, është hapur nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Në to, Emmerson thotë se po shqyrton mundësinë e kërkimit të masave për të ruajtur dëshminë e Martyt, pasi që siç thotë ai, referuar edhe vet deklaratave të ish-senatorit zviceran, shërbimet serbe të intelegjencës nuk kanë hequr ende dorë nga qëllimi për vrasjen e tij.

“Mbrojtja po shqyrton gjithashtu domosdoshmërinë e kërkimit të masave të tilla për të ruajtur dëshmitë e z. Dick Marty, pasi besohet se elementë brenda shërbimeve të inteligjencës serbe vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim për jetën e tij. Raportohet se “shtëpia e tij tani është e pajisur me kamera survejimi dhe një dhomë të sigurt me policinë me rroba civile duke mbajtur nën vëzhgim afër. Marty duhet të veshë një jelek antiplumb kur del në publik”, ka thënë Emmerson, duke cituar edhe raportimet e mediave zvicerane.

Avokati britanik i Veselit ka dhënë edhe propozimet e tij në lidhje me kohën që i duhet palëve për të paraqitur çështjen e tyre në gjyq.

Emmerson ka propozuar që Prokurorisë t’i jepet një vit kohë për ta parashtruar çështjen e saj, me mundësi që kjo të zgjatet deri në 3 muaj më shumë.

Në këtë bazë, Emmerson thotë se kjo do të rezultonte në një fazë gjyqi prej katër deri në pesë vite, dhe çdo zgjatje e mëtejshme, sipas tij nuk do t’i shërbente drejtësisë.

“Propozimi i Mbrojtjes do të rezultojë në një gjyq prej dy deri në tre vjet dhe një fazë gjyqi total prej katër deri në pesë vjet, në varësi nëse përdoren periudhat e zgjatjes dhe ndonjë ndërprerje midis rasteve të Prokurorisë dhe Mbrojtjes. Mbrojtja pohon se 12-15 muaj ofrojnë mundësi të mjaftueshme për Prokurorinë për të ngritur një rast kundër të akuzuarit. Për më tepër, nëse nuk mund të bëhet brenda këtij afati kohor, ka shumë pak gjasa që tërheqja e mëtejshme e procedurave do t’i shërbejë interesave të dikujt”, thotë Emmerson.

Tutje, Emmerson ka bërë të ditur se në seancën e nesërme do të diskutohet për një çështje tjetër ku prokuroria në pesë raste ka kërkuar nga mbrojtja që të fshijë nga të dhënat e saja artikujt e zbuluar pa dashje në kuadër të procesit të zbulimit të materialeve.

Ai thotë se për këto kërkesa, nuk është dhënë asnjë justifikim apo shpjegim dhe kjo ka shkaktuar që shpesh mbrojtja të përfshihej në shkëmbime të gjata me email me Prokurorinë.

“Që nga shkurti i kaluar, Prokuroria ka kërkuar, në pesë raste, që Mbrojtja të fshijë nga të dhënat e saj artikujt e zbuluar pa dashje. Asnjë justifikim apo shpjegim nuk u dha për asnjë nga këto kërkesa, duke e detyruar shpesh mbrojtjen të përfshihej në shkëmbime të gjata me email me Prokurorinë për të marrë sqarime në mënyrë që të jetë në gjendje të vlerësojë korrektësinë e masave të kërkuara”, ka thënë tutje Emmerson në parashtresat e tij.

Ndërkohë, para pak ditësh, Prokuroria e Specializuar ka amandamentuar aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, duke ua bartur atyre përgjegjësinë penale edhe për dy kampe ndalimi të pretenduara, në rrethinën e Suharekës dhe atë të Gjilanit.

Sidoqoftë, Thaçi, Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave që rëndojnë mbi ta. /Lajmi.net/