Kurti në Forumin e Bizneseve të Diasporës, u bën thirrje mërgimtarëve për investime

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës duke u bërë thirrje mërgimtarëve që të investojnë në Kosovë.


Kurti thotë se tashmë Kosova mund të ndihmohet duke kontribuar me investime dhe jo më duke sakrifikuar, njofton Klankosova.tv.

“Kam kënaqësinë që sot ta hapi Forumin e Bizneseve të Diasporës dhe shpresojë që nëpërmjet rrjetëzimit që ofron ky forum sot të lidhen partneritete bashkëpunimi të investimeve të reja dhe të eksportit nëpërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës”.

“Thirrja jonë si Qeveri e Republikës së Kosovës është që të kontribuohet për Kosovën tashmë jo duke sakrifikuar por duke kontribuar, duke përfituar meqenëse Kosova është një vend që mund të kontribuosh duke përfituar vetë”, tha Kurti.

Mes tjerash, Kurti ka folur edhe për vizitat që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicër ku edhe ka prezantuar interesat dhe potencialin ekonomik të Kosovës.

“Unë sapo jam kthyer nga një vizitë dy javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pasur nga pjesëmarrja ime në Forumin Ekonomik Botërorë në Davos të Zvicrës. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi negociuar për marrëveshje me MCC-në për investim prej 236.7 milionë dollarë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme. Kemi vizituar kompani teknologjike për të prezantuar potencialin e këtij sektori në Kosovë, biseduam rreth mënyrave më të avancuara të përdorimit të teknologjisë, prezantuam arritjet ekonomike të Kosovës dhe potencialet investuese dhe zhvilluar bashkëbisedime me studentët, profesionistët dhe investitorët e diasporës shqiptare”.

Kurti, tutje, ka folur për rritjen ekonomike duke thënë se kanë krijuar mbi 25 mijë vende të reja pune

“Potenciali dhe interesin e Kosovës e kam prezantuar edhe në Davos. Kosova është shteti më demokratik. Jemi renditur të parët në Ballkan për sundim të ligjit. Jemi ngritur për 17 vende për indeksin internacional. Viti 2021 ka qenë i zhvillimit ekonomik prej 10.5%. Kemi pas po ashtu rritje të eksporteve 83.6%, rritje të investimeve të huaja direkte 22%. Kur shohin që nuk ka korrupsion, qytetarët janë të gatshëm të paguajnë tatime. Kemi krijuar 25 mijë vende të reja të punës”, tha ai