Shtatë persona mbetën të vrarë të enjten prej bombardimeve ruse në qytetit e dytë më të madh të Ukrainës, në Harkiv, sipas një zyrtari rajonal, teksa shumë banorë janë rikthyer pasi u zmbrapsën përpjekjet e Rusisë për të pushtuar qytetin lindor.

“Sot armiku qëlloi në mënyrë tinëzare mbi Harkiv,” tha guvernatori rajonal Oleg Sinegubov në mediat sociale.

“Shtatë civilë u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën, duke përfshirë një fëmijë nëntë vjeçar,” tha ai pasi sulmet goditën të paktën tre lagje të qytetit pranë kufirit me Rusinë.

Kryetari i bashkisë së Harkiv, Igor Terekhov u bëri thirrje njerëzve të gjejnë strehim pas sulmeve.

“Trupat armike po bombardojnë sërish qytetin tonë”, tha ai në një video në Telegram.

“Ju bëj thirrje që të qëndroni në vende të sigurta, në bodrume, strehime dhe në stacionet e metrosë”.

Ai tha se metroja e qytetit, e cila rifilloi punën këtë javë pasi u përdor kryesisht si strehë që nga pushtimi rus, do të vazhdojë të funksionojë, por gjithashtu do të ofrojë një hapësirë të sigurt për banorët.

“Ne nuk do të ndalojmë metronë, por do të ndajmë sektorë të veçantë ku mund të qëndroni dhe të strehoheni nga bombardimet,” tha Terekhov.

“Tani gjëja më e rëndësishme është të shpëtojmë jetë.”

Harkivi, qyteti që ndodhet në skajin veri-lindor të Ukrainës pranë kufirit rus, u bombardua rëndë nga forcat e Moskës në fillim të pushtimit të tyre, i cili filloi më 24 shkurt.

Pas betejave të rënda që dëmtuan rendë qytetin, forcat ukrainase arritën të mbanin kontrollin e Kharkiv.