Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka ndarë të dhënat lidhur me humbjet e ushtrisë ruse për periudhën 24 shkurt – 5 prill, ku pretendohet se ushtria ruse e ka humbur 18.500 ushtarë, 150 avionë, 134 helikopterë dhe 676 tanke, transmeton Anadolu Agency (AA).


Sipas autoriteteve të Ukrainës, nga ushtria ruse që sulmon Ukrainën janë vrarë 18.500 ushtarë, si dhe janë rrëzuar 150 avionë, 134 helikopterë, ndërsa janë shkatërruar 676 tanke, 1.858 mjete të blinduara, 332 topa, 107 sisteme raketahedhëse dhe 55 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve.

Në njoftim thuhet se forcat ruse po ashtu kanë humbur 1.322 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta shpejtësie, 76 mjete të karburantit dhe 94 mjete ajrore pa pilot (dronë).

Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas të dhënave nga OKB-ja, të paktën 1.430 civilë janë vrarë dhe rreth 2.100 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.1 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.