Nga Bethan McKernan, Lviv*


Gratë në Ukrainë po përballen me kërcënimin e përdhunimit si taktikë lufte teksa po dalin në dritë përherë e më tepër prova për dhunë seksuale nga ana e forcave ruse në tërheqje.

LEXO EDHE:Putin uron Vuçiçin për fitoren në zgjedhje: Do të forcojmë lidhjet Rusi – Serbi

Bota u tmerrua të dielën nga një fotografi e bërë nga fotografi Mihail Palinçak në autostradë, 20 kilometra larg Kievit, në të cilën shiheshin trupat e një burri dhe tri grave grumbull mbi njëri tjetrin, të mbuluar me batanije. Gratë ishin lakuriq dhe trupat i kishin pjesërisht të djegur, tha fotografi.

Pamja tronditëse iu bashkohet provave të shumta për ekzekutime të shpejta, përdhunime e tortura të përdorura kundër civilëve në zonat nën kontrollin rus që nga sulmi i 24 shkurtit.

Për shumë është veçanërisht e vështirë të kuptojnë shkallën e dhunës seksuale. Teksa trupat ruse janë tërhequr nga qytetet dhe rrethinat përqark Kievit për ta përqendruar luftën në lindje të Ukrainës, gra e vajza paraqiten në polici, media dhe organizata të të drejtave të njeriut për t’u treguar mizoritë që kanë përjetuar nga ushtarët rusë. Përdhunime në grup, dhunë nën kërcënimin e armëve dhe përdhunime para fëmijëve janë midis dëshmive të zymta të mbledhura nga hetuesit.

‘Kemi pasur disa telefonata në numrin e urgjencës nga gra e vajza që kërkonin ndihmë, por në shumicën e rasteve ka qenë e pamundur t’i ndihmosh fizikisht. Nuk kemi qenë në gjendje t’i arrijmë për shkak të luftimeve’, thotë Katerina Çerepaha, kryetare e La Strada Ukraine, një shoqatë bamirësie që ndihmon viktimat e trafikimit, dhunës shtëpiake dhe sulmeve seksuale.

‘Përdhunimi është një krim që nuk denoncohet dhe i stigmatizuar edhe në kohë paqeje. Jam e shqetësuar se ato që dëgjojmë janë thjesht maja e ajsbergut’.

Përdhunimi dhe sulmet seksuale konsiderohen krime lufte dhe shkelje e ligjeve humane ndërkombëtar, dhe Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës kanë bërë të ditur se do të hapin hetime mbi dhunën seksuale. Por ajo që tani duket vetëm një mundësi e largët për drejtësi nuk ua heq grave ukrainase frikën për çka mund të ndodhë ende në të ardhmen, pasi lufta është larg fundit.

Antonina Medvedçuk, 31, tregon se kur u zgjua nga shpërthimet e bombave ditën kur nisi lufta, gjërat e para që mori para se të largohej nga Kievi ishin kondomë dhe gërshërë për t’i përdorur si armë për vetëmbrojtje.

‘Në çdo pauzë midis shtetrrethimit dhe bombardimeve kërkoja kontraceptivë emergjence në vend të kompleteve të zakonshme të ndihmës së shpejtë’, thotë. ‘Mamaja përpiqej të më siguronte që kjo nuk është nga ato luftëra, si ato nuk bëhen më, ekzistojnë vetëm në filma të vjetër. Unë jam feministe prej tetë vjetësh dhe qaja në heshtje, sepse e di që të gjitha luftërat janë të tilla’.

Nuk janë vetëm ushtarët rusë prej të cilëve duhet të mbrohen gratë ukrainase. Në Vinicia, qytet në perëndim të vendit, një mësuese raportoi në polici se një anëtar i shërbimeve të mbrojtjes territore e kishte tërhequr në bibliotekën e shkollës dhe ishte përpjekur ta përdhunonte. Ai u arrestua.

Organizata si La Strada Ukraine dhe një rrjet i përhapur në gjithë vendin i quajtur Feminist Workshop kanë punuar online me qeverisjen lokale për të përhapur informacione për përkrahjen mjekësore, ligjore e psikologjike për viktimat e sulmeve seksuale dhe po përpiqen të gjejnë streha të sigurta për gratë e vajzat që ikin nga lufta dhe dhuna shtëpiake.

Megjithatë, ato druhen se trauma e shkaktuar nga përdorimi i përdhunimit si taktikë ushtarake do të sjellin vuajtje të mëdha në shoqërinë ukrainase në vitet që do të vijnë.

‘Kur një grua largohet, duket sikur është e sigurt, gjendet larg armëve dhe burrit që e përdhunoi’, thotë Sasha Kantser, menaxhere e çështjeve të jashtme për degën e Feminist Workshop në Lvov, e cila ka ndihmuar qindra gra e vajza të shpërngulura që nga fillimi i luftës.

‘Por trauma mbetet një bombë brenda saj, që e ndjek nga pas. Shkalla e asaj që po ndodh tani të thyen zemrën’.

Marrë nga theguardian.com-Përgatiti: SYRI.net