Të djegur, të gjymtuar, të torturuar, të pushkatuar janë trupat e të vdekurve në Bucha, teksa autoritetet bëjnë me dije se deri tani kanë mbledhur rreth 410 prej tyre. Duart e lidhura pas shpine. Shumë të varrosur në baltën e rrugëve që befas u bënë llogore, të tjera të shtypura nga automjetet e gjurmuara dhe të lënë të kalben për javë të tëra në pluhur. Trupat e shtrirë njëri mbi tjetrin, ende pranë biçikletave të tyre, u vranë teksa pedalonin duke u përpjekur t’i shpëtonin rrethimit. Ndërkohë që nga ora në orë deklarata të forta nga e gjithë bota flasin për gjenocid dhe krime lufte.


Po në Bucha ushtria ukrainase gjeti një dhomë torture të përdorur nga ushtarët rusë me kufomat e pesë civilëve të përkulur përpara dhe duart e tyre të lidhura pas shpine. Ndërsa kryebashkiakja e Motyzhyn në Ukrainë e cila u rrëmbye më 23 mars, u gjet e varrosur së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj të vrarë me plumb në kokë.

Sot është dita e 40 e luftës në Ukrainë, që kur ushtria rusë nisi agresionin ushtarak. Masakra e ushtrisë ruse në Bucha të Ukrainës, ku njerëz të paarmatosur, civilë dhe fëmijë të vegjël janë ekzekutuar dhe lënë në mes të rrugëve të qytetit, do të rëndojë për rifillimin e negociatave të paqes mes Kievit dhe Moskës. Përtej masakrave të Rusisë, Zelensky shprehet se negociata e paqes me Rusinë duhet të vazhdojnë.

Moska thotë se Ukraina po mashtron për Buchan, dhe se është një “provokim” nga Kievi dhe radikalët ukrainas “për të bllokuar negociatat”. Nga ana tjetër rusët rifilluan bombardimin e qyteteve, duke filluar nga Odessa dhe Kherson.

Sipas Kievit, Rusia po mobilizon edhe 60,000 trupa të tjera. Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky, teksa foli në një mesazh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Gremmy, akuzoi Moskën për gjenocid dhe i quajti ushtarët rusë ‘vrasës dhe torturues’. Në botën e tronditur nga pamjet që vijnë nga Ukraina, BE shpall sanksione të reja.

E gjithë bota është bërë bashkë lidhur me sanksionet e vendosura nga Rusisë dhe izolimin ekonomik të saj, por Gjermania tha se tani nuk është momenti për të ndalur furnizimin e gazit rus. Megjithatë u sqarua se po punohet për ndërprerjen e varësisë nga Rusia.