Samiti i fundit virtual midis Kinës dhe BE-së, i cili i kushtoi shumë kohë agresionit rus kundër Ukrainës, ishte një “dialog i të shurdhërve” dhe të dyja palët nuk ranë dakord për asgjë, tha kreu i diplomacisë evropiane në seancën plenare të Parlamentit Evropian.


Komisioneri i Lartë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për samitin e 23-të të Bashkimit Evropian dhe Kinës.

Në samitin e mbajtur më 1 prill, Bashkimi Evropian u përfaqësua nga Presidentet e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, në një takim virtual me kryeministrin kinez Li Keqiang dhe presidentin Xi Jinping.

“Kina ka shprehur një qëndrim të paqartë për luftën në Ukrainë. Ne i kërkuam të vendosë kartat në tryezë dhe të jetë pjesë e zgjidhjes për t’i dhënë fund luftës. Ata shmangën dënimin e Rusisë, nuk ishte dialog i vërtetë, por dialog i të shurdhërve”, tha Borrell.

Sa për Ukrainën, konfirmoi Borrell, “ne nuk ramë dakord për asgjë”.

Ai pranoi se marrëdhëniet me Kinën nuk janë ato që dëshiron Brukseli, duke qenë se Kina po afirmohet gjithnjë e më shumë brenda dhe jashtë vendit dhe është e qartë se ajo nuk ndan të njëjtat vlera politike si BE-ja.

Ai tha se Michel dhe Ursula von der Leyen i kishin kërkuar Kinës që të përdorte ndikimin e saj në Moskë për të arritur një armëpushim dhe për të krijuar korridore humanitare, por se ata nuk ishin angazhuar për asgjë.

Ndryshe, Kina sot tërthorazi ka mbajtur anën e Rusisë në KS të OKB-së sa i përket mohimit të krimeve në Bucha duke kërkuar fakte të vërteta.