Ukraina ka kërkuar armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse nga Ukraina.


Kërkesa është bërë nga një këshilltari i presidentit Volodimir Zelenski në ditën kur guvernatori i qytetit Lviv ka konfirmuar se 35 persona kanë humbur jetën dhe 135 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit në Qendrën Ndërkombëtare të Paqeruajtjes dhe Sigurisë rreth tridhjetë kilometra larg kufirit me Poloninë, shtet anëtar i NATO-s. Baza përdorej për trajnime me instruktorë të NATO-s.

Nëntë persona të tjerë janë vrarë të dielën nga sulmet ajrore në qytetin jugor Mikolaiv, ka konfirmuar guvernatori i zonës. Qyteti shihet si vend kyç për çdo sulm të ardhshëm në qytetin portual të Odesës në bregun e Detit të Zi.

Kryetari i Kievit, Vitali Kliqko, druan se Rusia mund të përdorë armët kimike apo biologjike në Ukrainë. Derisa SHBA-ja deri tani ka thënë se nuk ka dëshmi se Rusia planifikon të përdorë armët kimike, këtë nuk e ka përjashtuar edhe Shtëpia e Bardhë.

Polonia ka vlerësuar se NATO-ja duhet ta rishqyrtojë vendimin për të mos ndërhyrë në Ukrainë nëse Rusia përdor armët kimike.

Presidenti Zelenski ka thënë se më shumë se 125 mijë qytetarë janë evakuuar nëpërmjet korridoreve nga zonat e konfliktit në Ukrainë.

Ndërkaq, Papa Françesku ka denoncuar barbarizmin e vrasjes së fëmijëve dhe të civilëve të pambrojtur në Ukrainë. Ai ka bërë thirrje që të ndalet masakrimi i ukrainasve para se sikur ka thënë ai “qytetet të kthehen në varreza”.

Qytetarët e Mariupolit kanë thënë se po përballen me temperatura të acarta. Ata kanë mbetur pa energji elektrike e me pak ushqim e ujë, derisa trupat ruse po shënojnë përparim në marrjen e kontrollit të qytetit.

Ushtria ruse ka përshkallëzuar bombardimin e qyteteve dhe të infrastrukturës kritike të Ukrainës, duke mos kursyer as zonat e populluara me civilë. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se po mundohen të evakuojnë sa më shumë qytetarë të pambrojtur.

Në Ukrainën lindore, Rusia po mundohet të zgjerojë kontrollin, por po përballet me rezistencë të vendosur ukrainase, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e ish-republikës sovjetike.

Në disa qytete, dëshmitarët kanë thënë se trupat ruse kanë nisur t’i legjitimojnë qytetarët në përpjekje për të konsoliduar kontrollin.

Gazetari Brent Renaud është vrarë në një sulm në afërsi të Kievit të rrethuar, ndërsa fotografi amerikan, Juan Arredondo, është plagosur dhe është dërguar në Spital për trajtim.

Ndërkaq në Rusi, më shumë se më shumë se 14.000 qytetarë janë arrestuar në Rusi për shkak të protestave kundër luftës në Ukrainë. Sipas një organi të pavarur të të drejtave të njeriut në Rusi, këta mijëra njerëz që kanë dalë kundër pushtimit të Ukrainës, janë arrestuar në 112 qytete.