Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin mesditën e djeshme pasi një i ri qëlloi me thikë të ëmën e tij në zonën e Kamzës.


Menjëherë pas ngjarjes, ai u largua, por u kap mbrëmjen e djeshme nga policia e Burrelit.

Në momentin e arrestimit, 28-vjeçari Ajet Lleshi, i tha policisë se e kishte qëlluar të ëmën pasi nuk ia falte vrasjen e të atit, mëson Gazeta Shqip.

Burime për gazetaren Kasandra Pali, bëjnë të ditur se 10 vite më parë, 56-vjeçarja, Safie Sina, vrau bashkëshortin dhe për këtë u dënua me 9 vite burg.

“E plagosa, se nuk ia fal dot vrasjen e babait. E kam tentuar edhe njëherë tjetër, po nuk ia arrita dot,” ka thënë Ajet Lleshi në polici.

Safie Sina i tha Policisë se është sulmuar nga i biri i saj i vetëm, teksa po shkonte te shtëpia e mamasë së saj në Tiranë.

Ajeti pritet që ditën e nesërme të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë për plagosje me dashje.

Safije Sina (Leshi) është e divorcuar dhe është martuar për herë të dytë dhe jeton në Kavajë. Ajo është martuar pasi ka vuajtur një dënim prej disa vitesh për shkak se vrau bashkëshortin e saj, të atin e djalit që e sulmoi ditën e djeshme.