NË PRAG TË 7 MARSIT, DITËS SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE!

Fadil LUSHI


Mësuesja Afërditë për dyzet e pesë vjet sfidoi historinë e saj të trishtë, edukatorja Afërditë që kur ishte foshnjë prej gjiri, u nda nga babai i saj, nga babai që e thirrnin Hashim, Hashim Toplica. Mësuesja që pas dyzet e pesë vjet, diku në Durrës, takoi babain e saj, takoi një njeri ‘jabanxhi’, takoi njeriun i cili në kampet dhe kazamatet famëkeqe të Enverit, kishte vuajtur të zitë ullirit.., jo më pak se tridhjetë e nëntë vjet, pesë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë.., ishte takuar me një njeri me trup të rraskapitur.., me shikim mënjanë dhe me zemër të copëtuar.., ishte ‘ballafaquar’ me njeriun që nuk e ‘njihte’.., për ta zbuluar të vërtetën e hidhur, të thellë dhe të plotë.., ishte takuar me njeriun, të cilit për më shumë katër dekada i kishte munguar buzëqeshja ledhatuese prindore.., njeriut që i kishte munguar vështrimi ledhatues.., ishte takuar me njeriun që kërkonte të kaluarën e tij të vjedhur.., me babain e saj që kërkonte të kaluarën e vet të lavdishme e të hidhur, se po kërkonte kalamajtë e vet, kujtimet e veta, se po kërkonte ëndrrat e rinisë së tij të humbur, se po kërkonte..,! Sesi kishte përfunduar ai takim, as unë vetë nuk e di! Unë që e shkruaj këtë dedikim, kam argumente bindëse, argumente që ‘llafosin’ punën e fisme, punen edukativo-arsimore të mësueses Afërditë.., mësuesja që për më shumë se tridhjetë mote, nxënësve të Migjenit ua këndoi shkronjat të dala nga Kongresi i Manastirit. Më kujtohet si sot kur mësueja Afërditë zhvillonte shkronjën B, sikur i ikte mendja te burgu i Burrelit.., kur zhillonte shkronjën e shtypit dhe të dorës S, sikur i shkonte mendja te Spaçi, atje ku babai i saj vuajti të zitë e ullirit.., shkronjën V, sikur nuk e kishte për ‘zemër dhe për xhan’.., nuk e ‘donte’.., sepse nuk e kishte Vatanin.., nuk!
Ajo gjatë punës së saj, me shumë familje u familjarizua.., le të më thotë njeri, se kush nuk ka hise në damarin a në gjendjen shpirtërore të mësueses në fjalë.., kush nuk ka hise në gëzimet, hidhërimet dhe sukseset e saj.., le të më thotë njeri, a mos vallë mësuesja, nuk meritoi diç më tepër…, diç më shumë se ky përkujtim! Tekefundit, komentet profesionale që i bëhen punës së saj fisnike, humane, emancipuese, po edhe altruiste, nuk janë subjektive, përkundrazi për bazë kanë kontributin me vlerë, dhënë shkollës shqipe!
Mësuese e dashur! Faleminderit për kontributin tënd të çmuar, “karshi” arsimimit të brezave prej gjak shqiptari!
Faleminderit Tetovë!