Ministria ruse e mbrojtjes tha të premten se faza e parë e operacionit të saj ushtarak ishte përgjithësisht e përfunduar, duke thënë se vendi do të fokusohet në çlirimin e rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës.


Ministria e Mbrojtjes deklaroi se separatistët e mbështetur nga Rusia tani kontrollojnë 93% të rajonit Luhansk të Ukrainës dhe 54% të rajonit Donetsk. Të dy rajonet së bashku njihen zakonisht si rajoni i Donbasit.

“Objektivat kryesore të fazës së parë të operacionit në përgjithësi janë përmbushur,” tha gjatë një konference Sergei Rudskoi, kreu i Drejtorisë Kryesore Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm Rus.

Në njoftimin e së premtes, Rusia gjithashtu u duk se la të kuptohet se pushtimi i Ukrainës nga Moska mund të jetë duke u kthyer në objektiva më të kufizuara, duke shtuar se qëllimi kryesor i operacionit ishte “çlirimi i Donbas”.

“Potenciali luftarak i Forcave të Armatosura të Ukrainës është ulur ndjeshëm, gjë që bën të mundur fokusimin e përpjekjeve tona thelbësore në arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Donbasit”.-tha Rudskoi.

Rusia ka ndryshuar objektivat e saj në Ukrainë gjatë gjithë luftës. Presidenti rus Vladimir Putin tha më herët se “denazifikimi” i udhëheqjes ukrainase, përgjithësisht i kuptuar si ndryshim regjimi, ishte motivimi kryesor për pushtimin.