Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka bërë me dije se i ka kërkuar ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov mbështetje për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve turq nga një xhami në Mariupol të dielën, raporton “CNN”


“Kam kërkuar mbështetjen e Lavrovit për t’i evakuuar qytetarët tanë”, ka thënë Cavusoglu gjatë një konference për shtyp të dielën në Antalia.

“Telefonat nuk funksionojnë dhe shpërthimet vazhdojnë. Shpresojmë për një zhvillim sot”, ka thënë kryediplomati turk.

Cavusoglu ka thënë se xhamia ishte e padëmtuar nga një bombë që ra aty pranë dhe se autobusët po prisnin për t’i evakuuar qytetarët turq nga xhamia, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme turke është në kontakt indirekt me qytetarët e saj përmes kontakteve në terren.

“Lufta u shndërrua në një luftë rrugë më rrugë. Është shumë e rrezikshme për t’i evakuuar njerëzit. Duhet një korridor humanitar”, ka thënë ai.

Ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës, ka njoftuar të shtunën se bombardimet ruse kishin në shënjestër xhaminë e Sulltan Sulejmanit dhe gruas së tij, Roxolana në Mariupol, ku ishin strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë disa shtetas turq.

Të dielën, ministri i Jashtëm i Turqisë, ka thënë se pavarësisht raportimeve se xhamia është bombarduar, ajo mbeti e padëmtuar.