ASH: Po hapim një paralele shqipe në shkollën e mesme “Vllado Tasevski” në Shkup

Këshilli i Qytetit të Shkupit pritet që sot ta votojë propozimin për dhënien e pëlqimit për paralelen me mësim në gjuhën shqipe, në shkollën e mesme “Vllado Tasevski”, ka njoftuar Naim Bajrami, përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët në Qytetin e Shkupit.


“Jemi sot këtu për të kumtuar një lajm të mirë dhe të shumëpritur nga nxënësit shqiptarë të Shkupit me rrethinë. Përfundimisht, me iniciativë të Aleancës për Shqiptarët dhe këshilltares sonë, nënkryetares së Qytetit të Shkupit, zonjës Bujare Abazi, sot Këshilli i Qytetit të Shkupit do të votojë propozimin për dhënien e pëlqimit për paralelen me mësim në gjuhën shqipe, në shkollën e mesme “Vllado Tasevski””, tha Naim Bajrami.

Më tej ai sqaroi se bëhet fjalë për një paralele të profilit elektroteknik për elektronikë dhe tele-komunikim me mësim në gjuhën shqipe që nuk ishte lejuar të hapej, ndërsa nxënësit ishin rrezikuar që të ngelnin pa dëftesa dhe t’ju humbet viti shkollor.

“Kujtojmë se këtë paralele e kishte mbajtur peng, ping-pongu mes drejtorit të shkollës së qytetit dhe ministrisë. Pas ardhjes së qeverisjes se re ne Qytet, filluan procedurat nga ana e Qytetit të Shkupit, me ç’rast Qyteti ka dërguar inspektorët e inspektoratit të arsimit dhe ekipet e veta për konfirmimin e gjendjes faktike, ku ka konstatuar se nxënësit janë prezent në shkollë dhe vijojnë mësimet”, u shpreh Bajrami para mediave.

“Falë përkushtimit të udhëheqësisë së re të Qytetit për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët dhe vendosmërisë tonë dhe përkushtimit tonë si perfaqësues të Aleancës për Shqiptarët në Qytet të Shkupit, kjo brengë e nxënësve dhe prindërve të cilët me të drejtë ishin të shqetësuar për mundësinë e humbjes së vitit nga ana e nxënësve, fatmirësisht po parandalohet dhe ata do kenë mundësinë që t’i japin provimet në fundvit dhe të marrin dëftesat ashtu siç u takon. Urojmë nxënësit të kenë shëndet e suksese në mësime dhe zotohemi se do të vazhdojmë të punojmë për qytetarët që na kanë dhënë besimin e për të sanuar problemet dhe leshimet e qeverisjes së mëparshme”, përfundoi Bajrami.