Rusia është duke shpalosur të gjithë potencialin e saj të frikshëm ushtarak në Ukrainë. Sipas raportimeve të CNN, në jug të qytetit Belgorod është parë arma TOS-1 një raketa hedhës termobarik.


Raketat termobarike janë të gjendje të shpërbëjnë trupin e njeriut, të shtypin organet si dhe të thithin të gjithë oksigjenin në zonën ku godasin dhe më pas shpërthejnë.

Ky sistem është shumë efektiv ndaj trupave të vendosura në llogore dhe në goditjen e pozicioneve të fortifikuara dhe bunkerëve.

E montuar në shasinë e një tanku T-72 dhe e pajisur me 24 raketa termobarike, TOS-1  mund t’i lëshojë ato brenda 12 sekondave.  Arma mund të jetë e pajisur me dy lloj raketash, zjarrvënëse si dhe me vakum të ashtuquajtura termobarike.

TOS-1 për herë të parë është përdorur nga trupat sovjetikë në luftën e Afganistanit dhe më pas në Çeçeni dhe në luftën civile në Siri. Së fundmi ajo u pa edhe në manovrat ushtarake të zhvilluara mes Bjellorusisë dhe Rusisë.

Shumë organizata për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj arme për shkak të efektivitetit të saj vdekjeprurës, ndërkohë edhe vendet aleate e kanë shprehur shqetësimin që në nisje të luftës, se mos Putin do të përdorte këtë armë.