Të rinj shqiptarë nga Saraji bashkojnë flamujt me komitët e VMRO-s!

Një ndeshtrash i paparë në kampin shqiptar ka ndodhur dje në Saraj, ku një grup çunash shqiptarë të frustruar, të pa shpresë e pa perspektivë, janë yshtur nga komitët e VMRO-së për t’i lidhur flamujt si ai shqiptar me atë të komitëve dhe të ‘dërzhavës’ mes tyre në një shesh diku në Saraj, duke u anëtarësuar në VMRO si anëtarët më të rinj të kësaj partie.


Sikur të mos mjaftonte aderimi i të rinjëve shqiptarë nga Haraçina dhe Kumanova apo i disa të rinjëve të tjerë nëpër disa mjedise shqiptare në SDSM-në titiste, por kish ngelur mangut edhe ky aderim te VMRO-ja nacionaliste.

Ky njoftim senzacional është bërë nga vet të rinjtë përmes një fotografie në rrjetet sociale të shpërndarë nga funksionari i VMRO-së në Saraj, Martin Stojanovski.

”Saraji le të jetë shembull për të gjithë në Maqedoni, Ballkan dhe me gjerë. VMRO DPMNE është parti për çdo qytetar”, kanë shkruar ata në facebook.

Ndërsa Mickovski në paraqitjet e tij publike ka thënë se “qytetarët meritojnë jetë dhe ardhmëri më të mirë, pa përçarje dhe urrejtje, pasi Maqedonia është e të gjithë qytetarëve”.

Të rinjëve shqiptarë si duket u ka ikur truri pasi nuk arrijnë të gjejnë vendin e tyre nëpër parti shqiptare, ja mbathin tutje nëpër parti sllavo-maqedone, ku mendojnë se do të ndërtojnë një ‘bashkim -vëllazërim’ të ri dhe se me këto ‘shkrirje’ do të ndërtojnë një jetë më të mirë për të gjithë, slogan ky që u hodh vite më parë nga SDSM-ja por që nuk gjeti kurrë zbatim.

Këta të rinj të shastisur ose janë mashtruar për një jetë më të mirë nga komitët ose janë blerë për një vende pune kur ata do të kthehen në pushtet, ndryshe nuk ka mundësi të rreshtohen brenda një kampi politik që ka kërcnuar shqiptarët për mbytje në dhoma gazi apo për fyerje shoveniste si:’Shiftari i mirë është një shiftar i vdekur’!

Surpriza e radhës ka ngelur dyndja e të rinjëve shqiptar të përhënur te ‘Levica’ e Apasievit!

Që të jetë e qartë për të gjithë shqiptarët e arrakatur dhe të shastisur që shpresojnë të anëtarësohen në partitë sllavomaqedone se SDSM-ja dhe VMRO-ja, nuk do të heqin dorë nga supremacia e ruajtjes dhe mbajtjes së pushtetit dhe të shtetit vetëm në duart e tyre dhe se shqiptarët sipas tyre duhet të kënaqen me statusin e bashkësisë së 20%.

Kësisoj, ata ta nuk do të ndryshojnë qëndrim përderisa subjektet politike shqiptare do të pranojnë këtë status denigrues dhe nuk do të guxojnë të kërkojnë ndryshimet kushtetuese për ta ngritur dinjitetin e përdhosur shqiptar si popull pa gjuhë e pa identitet.
Derisa të vijë ai ndërgjegjësim te subjektet politike dhe te të rinjtë, shqiptatët do të dynden nëpër partitë sllavo-maqedone, për të siguruar një kafshatë buke duke harruar barazinë nacionale dhe statusin inferior si popull pa identitet gjuhësor dhe pa status politik.

Medai Shaholli