Shkruan; Naser Pajaziti


Një video e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti e publikuar mbrëmë në rrjetet sociale ku kishte si cak porositë ndaj dy partive më të mëdha maqedonase LSDM si partner koalicioni, dhe VMRO-DPMNE-së opozitare, është një sinjal se po i vjen era zgjedhje të parakohshme.

Ahmeti me bashkëpartiakët e tij duke kalkuluar me kartën e djegur ose jo të “kryeministrit shqiptar” po luan në rolet e dyfishta në njërën anë të të fortit dhe në anën tjetër të viktimës karshi dy partive më të mëdha maqedonase.

Ai e ka të qartë se zgjedhjet e parakohshme në këtë periudhë janë më të favorshme për partinë e tij dhe karta e “kryeministrit shqiptar” mund të përdoret si vajtje-ardhje.

VMRO-DPMNE dje ka përfunduar gjithë strukturimin partiak pas kongresit të mbajtur, ndërsa partitë opozitare shqiptare si ASH dhe Lëvizja BESA janë në procesin e ristrukturimeve para kongreseve partiake të caktuara në muajin mars.

Pikërisht situata e ristrukturimeve opozitare me të mirat e të këqijat e saj, aderimet e pakënaqësitë janë argumente të mjaftueshme që BDI të mos humbas kohë dhe që sa më shpejt të shkoj në zgjedhje.

Më e goditura në këtë situatë do të jetë Alternativa, partia që u nda nga anija e përbashkët me Aleancën për Shqiptarët dhe që u josh për tu bërë pjesë e pushtetit të dy partive më kalkuluese si LSDM ashtu edhe BDI.

Se si do të pasojnë ngjarjet është një thënie e njohur alla turke “akshami është ngat, kemi me ja mat…”