Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova të mos frikësohet nga themelimi i Asociacionit të komunave serbe, për çka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova nuk frikësohet zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe por që me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme.


Ai tha se ju shërben qytetarëve të vendit dhe se i mbrojnë interesat e shtetit e që është integriteti territorial, funksionaliteti shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria.

Kurti ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne ju shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interesi i shtetit të pavarur i republikës sonë demokratike e sovrane, është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet, i lehtësuar apo ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Me ç’rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë për marrëveshje bisedojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv, jemi serioz dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo që po pajtohen gjithnjë më shumë që të gjithë faktorët ndërkombëtarë që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidentit i SHBA-së, Joe Biden që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti./kp/