Në përmbyllje të vizitës disa ditore në Kosovë, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin Perëndimor Eskobar e Lajçak, kërkuan që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialog. Dy të emisarët prej sot do të qëndrojnë për vizitë disa ditore në Serbi.


I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriell Eskobar në konferencën e fundit për media para se të ikte për në Serbi, kërkoi zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut. Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një [model] ose të zgjedhë një, në emër të palëve”, tha Gabriell Eskobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

I dërguari i BE-së për dialogun Mirosllav Llajçak, tha se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.

“Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”, u shpreh Mirosllav Lajçak.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. Kurti tha se në takim me diplomatët nuk është biseduar për modelet rreth Asociacionit dhe shtoi se “të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara në nivelin më të lartë të standardeve evropiane”. Ai tha se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin, por tha se është “e kujdesshme”.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e këtij asociacioni ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit. Escobar dhe Lajçak vazhdojnë sot vizitën në Serbi./