Bashkimi Evropian po e rrit mbështetjen për Ukrainën dhe paralelisht i ka shtuar sanksionet kundër Rusisë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell njoftoi se për herë të parë, BE-ja do të blejë armë për Ukrainën dhe do t’ia dërgojë atje.


“Për herë të parë, BE do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve në një vend të sulmuar. Ne gjithashtu po forcojmë sanksionet tona kundër Kremlinit”, njoftoi Ursula von der Leyen.

Ajo e përgëzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili tha se ishte frymëzim për gjithë BE-në

“Ne i mirëpresim krahëhapur ata që duhet të ikin nga bombat e Putinit”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

“Së pari, ne po mbyllim hapësirën ajrore të BE-së për avionët në pronësi ruse, të regjistruara ruse ose të kontrolluara nga Rusia. Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Përfshirë avionët privatë të oligarkëve”, tha ajo ndër tjerash.

Si pjesë e sanksioneve të radhës është edhe ndalimi i mediave të Putinit në Evropë.

“Kompanitë shtetërore Russia Today dhe Sputnik dhe filialet e tyre,
nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për ta justifikuar luftën e Putinit. Ne po zhvillojmë mjete për ta ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”, tha presidentja e KE.

Sanksionet e BE-së e godasin edhe bashkëpunëtorin e putinit, regjimin e Aleksanër Lukashenkos në Bjellorusi.

“Së treti, ne do të synojmë agresorin tjetër në këtë luftë, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm. Të gjitha këto masa vijnë në krye të paketës së fortë të paraqitur dje, të rënë dakord nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Ursula von der Leyen.