Në ditën kur Serbia u përgëzua nga Bashkimi Evropian për referendumin e suksesshëm, në Kosovë kanë vazhduar polemikat për ndalesën e Qeverisë në hapjen e qendrave të grumbullimit.


Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, anëtarët janë deklaruar rreth referendumit të Serbisë.

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se rezoluta e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e të gjitha partive politike. Ajo ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë qendra të grumbullimit as për zgjedhjet e prillit në Serbi.

“Votimi për zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër apo të shtetasve të tjerë me dyshtetësi, është i paraparë dhe si shumë herë u ritheksua ditën e shtunë në Kuvend, ekzistojnë metoda si votohet: votohet me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo në zyrat e atij shteti. Si parim dhe si proces është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet tashmë dy apo tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, në mënyrë që të kuptohet se Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran dhe një ligj i aplikueshëm për të gjithë njëjtë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq shefi i deputetëve të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, ka thënë se seanca e së shtunës ka qenë e panevojshme duke e konsideruar si tallje me deputetët e opozitës. PDK-ja kishte bojkotuar seancën.