Plani i ish-presidentit Hashim Thaçi për “Pallatin Presidencial” nuk po gjen zbatim nga Presidentja aktuale, Vjosa Osmani. Ajo ka vendosur që të mos e ndërrojë zyrën gjatë këtij mandati. Anulimi i këtij projekti mund ta çojë vendin edhe në Arbitrazh. Kosovës i rrezikohen miliona euro, nëse merret një vendim i tillë.


Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka në plan të largohet nga kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pavarësisht planeve të paraardhësit të saj që stafi i Presidencës të vendosej në objektin e ish-komitetit, në sheshin “Nënë Tereza”, Osmani ka vendosur që këtë mandat të vazhdojë punën nga zyra që ka aktualisht.

Një gjë të tillë i është kumtuar tashmë edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që është përgjegjëse për akomodimin e institucioneve.

Informacionet për këtë projekt kanë qenë të klasifikuara deri në nëntor të vitit të kaluar, kur edhe është vendosur për deklasifikimin e tyre.

“Me datë 12.11.2021, Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Presidentit, e ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të MPB’së se Zyra e Presidentes gjatë mandatit aktual nuk ka plan zhvendojsen në këtë objekt. Andaj, duke qenë se më nuk ka arsye për mbrojtje të këtij informacioni pasi që arsyetimi i Raportit të Komisionit të lartëpërmendur nuk është më relevant, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e MPB’së, që e ka siguruar T7.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Presidencë dhe MPBAP për të marrë informacione rreth këtij projekti, por asnjëra prej këtyre institucioneve s’është përgjigjur deri në momentin e publikimit të tekstit.

Rrezikohen miliona euro nëse anulohet projekti

Nëse ky projekt anulohet tërësisht, Kosovës mund t’i shtohet edhe një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Për një gjë të tillë ka paralajmëruar vetë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku.

Çeku tha se ka pasur tendenca që nga qendra e sheshit në Prishtinë të largohet Ministria e Kulturës dhe sipas tij, për këtë qëllim është bërë një kontratë me një operator, ku tha se si ministri po kanë telashe për ta anuluar, pasi që penalltia që do ta paguajnë në këtë rast është e madhe, sepse kontrata ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro.

“Kontrata ka qenë e klasifikuar dhe mezi e kemi deklasifikuar sepse edhe ajo e ka procedurën e vet. Flitet për disa milionë, por juristët tanë tek tani mund të shkojnë dhe ta shohin dhe t’i shohin kushtet e kontratës ose ridestinim të asaj kontrate”, ka deklaruar Çeku në ATV.

Sipas tij, aty ishte paraparë që të ketë edhe shpronësime.

“Kontrata ka qenë milionëshe për t’i nis renovimet e para, por plani i përgjithshëm, sipas atyre që kanë qenë të involvuar në atë proces, ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro, sepse ka qenë e paraparë që aty të rregullohet edhe rrezja e sigurisë, të ketë edhe shpronësime, mund të llogaritet shpronësimi në atë pjesë të kryeqytetit”, ka thënë Çeku.

Plani i Thaçit për “Pallatin Presidencial”