Profesori amerikan, Alon Ben-Meir, njëherësh edhe njohës i çështjeve të politikave në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosova dhe veçanërisht Ballkani Perëndimor në përgjithësi është target i presidentit rus, Vladimir Putin.


“#Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të qëndrojnë sy-hapur kur bëhet fjalë për infiltrime të mundshme të shpiunëve #rus. Ky rajon është objektiv i hapur për Putinin; vendet e tjera duhet t’i frikësohen më shumë afrisë së tij me #Serbinë”, ka shkruar ai në ‘Twitter’.

Gjatë vitit të kaluar me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, persona non-grata janë shpallur edhe dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë për shkak të aktiviteteve të tyre të dëmshme për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.