Presidenti kroat rreshtohet pro Dodikut: Nëse dikush voton për sanksione është tradhtar

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, është rreshtuar pro Dodik-ut duke thënë sot se kushdo që voton në Këshillin e BE-së për të vendosur sanksione ndaj Milorad Dodikut është tradhëtar.


Milanoviç tha se ka të tjerë më të kqinj në Bosnje sesa Dodiku, transmeton Gazeta Express.

“Njëri nga ta është Bakir Izetbegoviç, ai blen copa të tendave dhe pret për aq kohë sa kroatët të lodhen. Ai vjedh nga ta dhe i gënjen ata gjatë gjithë kohës. Republika Srpska është trup i ndarë brenda Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Milanoviç.

“Në zgjedhjet e fundit, disa vendvotime u zaptuan dhe njerëzit aty votonin ashtu siç ju ka thënë Izetbegoviç. Kroatët që kanë qenë faktorë politikë me boshnjakët janë zhdukur tashmë”, tha ai.

Milanoviç tha se as Milorad Dodik dhe as Vladimir Putin s’janë etnonacionalistë.

“Mos vendosni sanksione, nëse dikush nga Kroacia në Këshillin e BE-së voton për këto sanksione, ai është tradhtar për mua. Unë do të marr pjesë në seanca që askush të mos mund të votojë për sanksione”, tha ai.