Në vizitën zyrtare do të shqyrtohen në të gjitha dimensionet e tyre marrëdhëniet Turqi-Shqipëri dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për të thelluar bashkëpunimin


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u nis në orën 11:00 me kohën lokale drejt Tiranës për takime zyrtare si i ftuar i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u përcoll nga aeroporti Atatürk të Stamboll nga një delegacion, përfshirë nënpresidentin Fuat Oktay dhe prefektin e Stambollit Ali Yerlikaya.

Presidenti Erdoğan në vizitën e tij shoqërohet nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Muharrem Kasapoğlu, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy.

Në vizitën zyrtare do të shqyrtohen në të gjitha dimensionet e tyre marrëdhëniet Turqi-Shqipëri dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për të thelluar bashkëpunimin.

Erdoğan do të zhvillojë një vizitë me rastin e ceremonisë së dorëzimit të shtëpive që janë ndërtuar nga Turqia në qytetin e Laçit për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri.

Gjithashtu, Erdoğan do të marrë pjesë edhe në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut që u restaurua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), si dhe do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.