Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është vazhdimisht duke përcjellur situatën e
krijuar së fundmi rreth mundësisë së mbajtjes së një referendumi nga ana e shtetit të Serbisë
dhe kërkesën e tyre që i njejti të realizohet edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
GLPS konsideron që mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Republikën e Kosovës
është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe respektit të ndërsjelltë të secilit vend të
Bashkimit Evropian. Ne deshirojmë të theksojmë që nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një
referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër në një menyrë të tillë
sikur të ishte një proces zgjedhor i zakonshëm. Në kuptim të praktikës së Gjykatës Evropiane
për të Drejtat e Njeriut (psh rasti Py v. France 2005), e drejta e dikujt për të votuar për zgjedhjet
e një shteti tjetër në territorin e shtetit ku banon nuk ekziston. Një gjë e tillë është
jashtëzakonisht e qartë në kuptim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3,
protokolli 1). Madje GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues që të mos
lejojë një proces votimi për një referendum kushtetues të një shteti tjetër, e aq më pak për një
shtet me një kushtetutë paragjykuese dhe armiqësore ndaj territorit të Republikës së Kosovës.
Prandaj, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk duhet ta lejojë një proces të tillë por e njejta duhet
të arsyetojë veprimin e saj duke u mbështetur në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe
sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës, pavarësisht deklaratave dhe presioneve të ndryshme
nga jashtë.
Së fundmi, kërkesa e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka asnjë lidhshmëri me të drejtat e
njeriut dhe refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane.
E njejta është hapi i rradhës në tentimet e vazhdueshme të Serbisë në cenimin e shtetit të
Kosovës, veprime këto që duhet ndaluar. GLPS mbështet veprimet të cilat i kontibuojnë
fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal por, vetëm në rastet kur Kosova është palë e
barabartë dhe e respektuar për sovranitetin e saj tashmë të njohur botërisht. Ndërsa kërkesa
konkrete e Serbisë përkundrazi nuk promovon aspak bashkëpunim të mirëfillt dhe qëllim për
dialog konstruktiv mes dy shteteve.
Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe me legjitimitet të plotë që të sillet si i
tillë ndaj çdo kërkese e cila do cenonte parimet kushtetuese dhe integritetin shtetëror. Prandaj i
bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që e njejta të ketë parasysh këto fakte gjatë marrjes së një
vendimi lidhur me këtë situatë.


Sinqerisht,
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)