Shoqata për mbrojtjen e maqedonizmit, emrit maqedonas dhe ekzistencës mes kombeve, “Manifesti maqedonas” ka publikuar një letër përmes së cilës kundërshton dërgimin e mundshëm të trupave të ushtrisë së Maqedonisë në çfarëdo aksioni të NATO-s në Ukrainë.


“Manifesti Maqedonas” u bën thirrje siç thuhet “të gjithë maqedonasve të ndershëm dhe të palindur që t’i thonë JO NATO-s për përfshirjen e maqedonasve në një luftë të mundshme vëllavrasëse të maqedonasve me popullin rus.

“Aleanca e NATO-s me mendje perëndimore duhet të dijë se popujt rus dhe maqedonas kanë rrjedhë nga i njëjti burim gjuhësor dhe identitar në të kaluarën. Origjina e tyre është e përbashkët, e përbashkët me popujt e tjerë sllavë dhe është ngulitur si një vulë mbretërore në kujtesën maqedonase. Maqedonasit dhe rusët janë fidane të së njëjtës prejardhje familjare dhe për këtë arsye ata nuk mund të luftojnë kundër njëri-tjetrit”, thuhet në apelin e tyre, përcjell INA.

Pjesë e Manifestit Maqedonas që kanë nënshkruar apelin janë klerikë, profesorë universitar, diplomatë si dhe emra tjerë: Eftim Kletnikov – poet, Agatangjel – Mitropoliti i Vardarit, Prof. Stojan Stojkov -kompozitor, Prof. Zapro Zaprov – dirigjent, Aldo Kliman – piktor, Prof. Dr. Cvetan Gavrovski – Profesor universitar, Prof. Dr. Sllobodan Prenzov – Profesor universitar, Prof. Dr Natasha Kotlar – historiane, Risto Nikovski – Ambasador, Fima Kletnikova – poete, Dardan Venetski – avokat, Sotir Kostov – avokat, Alexander Rusyakov – shkrimtar.