Kryeministri Albin Kurti po qëndron në kazermën e FSK-së në Gjilan prej ku ka thënë se Ushtria e Kosovës është edhe ëndrra dhe amaneti i shumë brezave.


“Ju Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën, dhanë jetën për lirinë. Ju me shërbimin tuaj fisnik përgatiteni çdo ditë ta mbroni atdheun, prandaj s’kam si të mos ndihem i nderuar dhe krenar dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri”.

Kurti, që bashkë me ministrin Mehaj e ka vizituar Regjimentin e Parë të Forcave Tokësore të FSK-së, tha se teknologjia e avancuar s’mund ta zëvendësojë asnjëherë vrullin e ushtarakëve.

“Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake sado të sofistikuara dhe precize nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot dhe kjo e shton përgjegjësinë e udhëheqësve tuaj dhe secilit prej juve që me moral të lartë, përkushtim intensiv, punë ekipore dhe stërvitje të rregullt të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë saqë sikur një. FSK-ja çdo ditë rritet me kapacitetet e saj duke dëshmuar që është gati për përgjegjësi të reja dhe detyra edhe më të mëdha”.

Shefi i qeverisë tha se një nga sukseset e FSK-së për vitin 2021 ishte pjesëmarrja në ushtrimin e SHBA-së dhe NATO-s, derisa shprehet i bindur se edhe në “Defender-Europe 23” FSK-ja do të ketë sukses.

“FSK-ja në vitin që lamë pasë sërish ka treguar profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes dhe sigurisë jo vetëm brenda kufijve të saj por edhe jashtë, si dhe jo vetëm për qytetarët e saj por edhe për të gjithë ata që kanë nevojë. Një nga sukseset më të larta për vitin 2021 është pjesëmarrja në “Defender-Europe 21” ku ju treguat gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë me ushtarakët e NATO-s dhe të SHBA-së. Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombvëtare dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj është testament i arritjeve me të cilat na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve. Sfida e radhës “Defender-Europe 23” do t’iu gjejë edhe më mirë edhe më të përgatitur. Unë jam i sigurt në suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim. Prapë do të tregoni që Ushtria e Kosovës është ushtria e disiplinuar, trajnuar mirë dhe ushtri e sukseseve. Këtë do ta arrini me punë të përbashkët ekipore duke mësuar nga njëri-tjetri dhe nga udhëheqësit tuaj ushtarakë. Mbi të gjitha këtë do ta arrini me zell dhe me motiv për ta lartësuar vendin, shtetin dhe popullin tonë”.

Kurti deklaroi se qeveria e merr me shumë përkushtim modernizimin e Ushtrisë së Kosovës si me pajisje dhe armatim ashtu edhe në kushtet e shërbimit dhe mundësitë ku ushtarët mund të tregojnë aftësitë e tyre./ Klankosova.tv