Kovaçevski: Me Qeverinë bullgare jemi dakorduar të parandalojmë propagandën dashakeqe

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot tha pas vizitës së kryeministri bullgar Kiril Petkov në Shkup, dhe pas vizitës së delegacionit tonë në Sofje, janë vendosur politika për ndërtimin e urave mes dy vendeve, shkruan TV21. Kovaçevski shprehu bindjen se pret që dallimet mes dy vendeve të tejkalohen shumë shpejtë.


“Aty ku ka vullnet politik dhe ide për progres, dallimet tejkalohen shumë më lehtë. Së bashku kemi hapur dialog të sinqertë dhe me përkushtim për stabilitet dhe zhvillim të dy shteteve. Kemi nxitur thellimin e miqësisë, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Të dy qeveritë janë përcaktuar të udhëheqin politika të ndërtimit të urave, e jo politika të ndërtimit të mureve mes qytetarëve të dy vendeve”, theksoi Kovaçevski.

I pari i ekzekutivit tha se me Sofjen zyrtare janë dakorduar që të parandalojnë çfarëdo propagande që do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Jemi dakorduar që së bashku të parandalojmë propagandën dashakeqe, nëse paraqitet brenda shteteve. Së bashku të jemi kundër gjuhës së urrejtjes, bashkërisht ta mposhtim nacionalizmin”, pohoi Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski njoftoi se tashmë po përgatitet takim mes komuniteteve të biznesit në dy vendet.

“Tashmë po organizohet një takim i ri , që do të jetë mes komuniteteve të biznesit, në të cilin organizim do të marrin pjesë ministrat e resorëve të Republikës së Bullgarisë dhe të vendit tonë, në sferën e ekonomisë dhe financave. Në të cilën do të marrin pjesë të gjitha odat ekonomike nga të dy vendet përmes përfaqësuesve të tyre, takim ky që do të mbahet në Shkup”, njoftoi Kovaçevski.

Këto deklarata kreu i Qeverisë i bëri në konferencën e sotme BGMK2030 “Kontributi qytetar në ndërtimin e besimit, bashkësisë dhe aleancës” e organizuar nga Renew Europe dhe AUE – FON, ku i pranishëm ishte edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk./TV21