Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021 teksa është vlerësuar me 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të përgatitur nga organizata Transparency International.


Sipas raportit, Kosova ka treguar vullnet për të luftuar korrupsionin, ku siç thuhet “duke hetuar liderët potencialisht të korruptuar”, ku përmenden edhe arrestimet të dhjetëra zyrtarëve e edhe ish-nënkryetarin e komunës së Shtërpcës në një aksion kundër korrupsionit lidhur me ndërtime që supozohet të jenë të paligjshme të vilave në Brezovicë, njofton Klankosova.tv.

Më tej, në këtë raport, Qeverisë së Kosovës, i është bërë thirrje që të sigurohet që emërimet publike të jenë në kohë.

“Megjithatë, qeveria duhet të sigurojë që emërimet publike të jenë në kohë, transparente dhe të paanshme për të sjellë përmirësimet e nevojshme në proceset e prokurimit publik”, thuhet në raportin e Transparency International, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në raport përmendet edhe tranzicioni paqësor i pushtetit ndërmjet qeverive gjatë viteve të fundit, ku gjithashtu përmendet fakti që Parlamenti i Kosovës është i vetmi në Ballkanin Perëndimor dhe i pesti në të gjithë Evropën që pushtetin nuk ia ka deleguar qeverisë në rastin e pandemisë.

Raporti flet edhe për gjendjen e sistemit në Serbi, ku thuhet se vendi nuk konsiderohet më demokratik, por një regjim hibrid, teksa përmendet që qeveria e Vuçiqit është bërë e njohur për ndikimin e madh në media, kërcënimin e kritikëve të pavarur dhe mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë të padrejtë.

“Mungesa e transparencës së qeverisë rreth investimeve të mëdha të huaja shkakton shqetësim të gjerë, të reflektuar nga vala e fundit e protestave publike kundër një projekti të diskutueshëm të shfrytëzimit të litiumit”, thuhet në raport.

Kurse, Maqedonia e Veriut, sipas Transparency International, pas disa vitesh rënie, rezultati i saj është rritur për katër pikë nga viti i kaluar, teksa përmenden hapat që vendi ka ndërmarrë për t’i ndjekur penalisht zyrtarët e nivelit të lartë për korrupsion.

“Qeveria miratoi gjithashtu një agjendë dhe plan veprimi kundër korrupsionit – të zhvilluar në konsultim me shoqërinë civile – që përfshinte masa të qarta për të luftuar krimin e organizuar, reformën e zgjedhjeve dhe sistemin gjyqësor, si dhe adresimin e nepotizmit dhe ndikimit në praktikat e punësimit publik”, thuhet në raportin e Transparency International.

Raporti i Transparency International, Bosnje dhe Hercegovinën e ka renditur në njërën ndër vendet në pikën më të ulët në Ballkanin Perëndimor, ku thuhet se kriza aktuale politike kërcënon vetë ekzistencën e shtetit.

Në raport thuhet se kriza rrezikon edhe zgjedhjet që do të mbahen atje në tetor të këtij viti, ndërsa gazetarët sipas këtij raporti, po përballen me kërcënime verbale, padi e sulme fizike teksa qeveria po vazhdon t’i manipulojë mediat.

Kriza rrezikon zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Bosnjës dhe Hercegovinës në tetor 2022 dhe po pengon reformat zgjedhore shumë të nevojshme për të siguruar që zgjedhjet të financohen në mënyrë transparente, të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe pa presion mbi votuesit.

“Paaftësia e gjykatave për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit është një tjetër pasojë e rëndë e abuzimit të vazhdueshëm të pushtetit”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se për çdo përparim domethënës kundër korrupsionit, qeveria në Bosnje dhe Hercegovinë duhet t’i trajtojë këto çështje dhe të miratojë ligje për konfliktin e interesit, prokurimin publik transparent dhe reformën në drejtësi./ Klankosova.tv