Prej kohësh banorët e Vizbegut kanë ëndërruar ta shohin këtë pamje.


Kanë filluar punët për ndërtimin e shkollës fillore.

Po rrethohet parcela ku do të ndërtohet objekti nga kompania që ka marr tenderin. Për banorët ka qenë gëzim i madh kur kanë parë mjetet që kanë ardhur për të nisur nga puna.

 “Ne kur jemi zgjuar në mëngjes kur i pamë se po vijnë kamionët për fillimin e shkollës, prej qejfit nuk kam ditur as qysh me shpreh gëzimin aq të pritur me dekada 10-15 vjet, por shyqyr që puna po fillon jemi shumë të kënaqur jo vetëm unë por i gjithë fshati është në këmbë!”, tha Nebi Ibrahimi, banor.

Nebi Ibrahimi gjithashtu thotë se asnjëherë nuk i kanë humbur shpresat se një ditë shkolla do të ndërtohet në këtë lagje edhe pse rruga për të arritur deri këtu ishte e vështirë.

 “Shpresat nuk i kemi humbur asnjëherë edhe nuk do ti humbim dhe kemi shpresë pasi ka filluar puna shpresojmë që nuk do të ndërpritet. Me gëzim e me qejf presim që nuk do të ndërpritet puna”, pohoi Nebi Ibrahimi, banor.

Kontaktuam edhe me kryetarin e komunës së Butelit, Darko Kostovski, se kur parashihet përfundimi i punimeve.

 “Sipas marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe kontraktuesit afati për ndërtimin e shkollës është në periudhën prej 18 muajsh ose 1 vit e gjysmë”, tha Darko Kosotovski, kryetari Butelit.

Vizbegasit kanë 20 vite që kërkojnë shkollë në lagjen e tyre. Realizimin e vështirësonin problemet burokratike mes komunës e ministrive. E ata që pësuan për gjithë këto dekada janë nxënësit që duhej të bëjnë kilometra për të shkuar në shkollat e komunave përreth, ndërsa transporti i organizuar shpesh u ka munguar./TV21