Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duket se është ndjerë mjaft mirë gjatë vizitës në Shqipëri. Në mbyllje të vizitës, në llogarinë e tij në Instagram u postua një galeri me foto, me një përshkrim në shqip: “Faleminderit Shqipëri, ju duam juve!”.

Dita e Erdoganit në Shqipëri nisi me dorëzimin e çelësave të shtpëive të reja për banorët e Laçit, të cilët i kishin humbur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në total Turqia kontribuoi për ndërtimin e 522 banesave të reja, për një kosto prej 42 milionë eurosh, siç tha vetë presidenti turk. Në Laç, sheshi kryesor i qytetit mori gjithashtu emrin e Erdogan, si vlerësim për ndihmën e Turqisë.

Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe protokolleve mes dy qeverive, Erdogan mbajti edhe një fjalim në kuvendin e Shqipërisë, ku kërkoi që të luftohej shtrirja e organizatës “Hizmet” e klerikut Fetullah Gulen, e quajtur organizatë terroriste (FETO) nga ana e Turqisë. “Rrezikoni që të përsëritet në Shqipëri, ajo që ndodhi në Turqi”, ishte mesazhi i Erdogan për ligjvënësit shqiptarë, duke kujtuar përpjekjen për grusht shteti të vitit 2015 në vendin e tij, që sipas autoriteteve turke u orkestrua nga Gulen.

Vizitën në Shqipëri, Erdogan e mbylli me përurimin e xhamisë së Et’hem Beut, të restauruar nga TIKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Bashkërendim. Në sheshin “Skënderbej” Erdogan u prit nga disa qindra mbështetës të tij, të ardhur edhe nga Maqedonia e Veriut e Kosova, të cilët mbanin flamuj të Shqipërisë dhe Turqisë./A2

https://www.instagram.com/rterdogan/?utm_source=ig_embed&ig_rid=d98c10d6-5cc6-43ec-a0eb-e53dc741016b&ig_mid=C8244406-6120-49F2-A66D-99781126D725