De Jong ia jep tri pikë të arta Barcelonës në Alaves

Barcelona ka arritur një fitore të ngushtë si mysafire e Alaves sonte. Tërë kjo u arrit falë një goli në minutat e fundit të ndeshjes nga talenti holandez, Frankie de Jong. Fitorja e fut Barcelonën në garë për top-4 në La Ligën e Spanjës


Barcelona ka arritur një fitore të rëndësishme sonte kundër Alavesit në stadiumin e Mendizorrotza.

Një ndeshje që në pjesën e parë kaloi pa shumë raste nga të dyja skuadrat dhe me Barcelonën që vazhdimisht e kishte në kontroll ndeshjen por që nuk arriti që të rrezikonte seriozisht portën e kundërshtarit.

Pjesa e dytë nisi shumë me ndryshe.

Barcelona do të rrezikonte seriozisht portën e Alaves në minutën e 63-të kur Pique do të bënte një goditje të mirë por portieri Pacheco bëri një pritje brilante.

Thomas Pina i Alavesit u rrëzua në zonë në minutën e 74-të por gjyqtari nuk e ndali penallti për skuadrën mysafire.

Joselu do të rrezikonte seriozisht Barcelonën në minutën e 78-të pas një goditje të fortë me kokë, por goditja e tij kaloi pranë shtyllës së djathtë të Ter Stegen.

Minuta e 87-të do t’ia jepte Barcelonës fitoren.

Frenkie de Jong mori një top të mirë në zonë duke e gjetur atë ballë për ballë me portierin. Holandezi me finesë arriti që ta finalizojë aksionin duke plasuar topin në këndin e djathtë të portierit Pacheto.

Alaves do ta humbiste edhe një lojtar në minutën e parë shtesë të lojës, pasi që Mendibar do të ndëshkohej me karton të kuq.

Për një moment lojtarët e Barcelonës u ndien të zhgënjyer pasi që gjyqtari Vazquez shkoi për ta shikuar VAR, pasi që dyshohej që de Jong ishte në pozitë jashtë loje. Por, pas sqarimit doli që goli ishte në pozitë të rregullt dhe Barcelona do të kthehet me tri pikë të plota në Kataloni.

Kjo fitore e ngrit Barcelonën në vendin e pestë 35 pikë, një më pak se Atletico në vendin e katër. Alaves mbetet në vendin e 19 me 17 pikë.