Borissov: Dje e kam marrë vesh se Maqedonia e Veriut nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë

Ish-kryeministri bullgar dhe lider i partisë më të madhe opozitare në Bullgari, Boyko Borissov, ka folur rreth kontestit me Maqedoninë e Veriut.


Ai tha se të rëndësishme janë çështjet historike, puna e librave dhe përmendoreve. Borissov theksoi se Bullgaria ka bërë përpjekje që në kohën e presidentit Zhelju Zhelev, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë në mes Shkupit dhe Sofjes.

Borissov deklaroi se dje e ka marrë vesh “se Maqedonia e Veriut nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë”.

“Për kaq shumë vite para meje asnjë politikan maqedonas nuk e ka lejuar veten të thotë një gjë të tillë – se ata po heqin dorë dhe nuk do të kenë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë”, tha ish-kryeministri, duke kujtuar se Bullgaria ishte e para që mbështeti Republikën e Maqedonisë së Veriut të anëtarësohet në NATO, pavarësinë e saj dhe dëshiron që ajo të anëtarësohet në BE.

Ndryshe, dje kryeministri aktual bullgar Kirill Petkov, qëndroi për vizitë zyrtare në RMV, ndërsa realizoi takim me kryeministrin e ri Dimitar Kovaçevski. Pas takimit, Petkov tha se përveç historisë, e rëndësishme është edhe bashkëpunimi ekonomik në mes dy vendeve.