Shkruan Prof.dr. Vebi Bexheti:


Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të kolosit të madh të kombit, atdhetarit Rafi Halilit, shokut tim të fëmijërisë, që nga viti 1960, kur u takuam në bankat e klasës së pestë (V-f), të shkollës “Liria”të Tetovës, me kujdestar klase, z. Salajdinin. I frymëzuar nga mësimet e mësuesit tonë të klasës, arsimtarit të gjuhës shqipe, i cili si shumë mësues tjerë të kësaj shkolle e kishte përjetuar tmerrin e burgut famëkeq të “Goli Otokut”, Rafiu shumë herët e kuptoi nevojën e mësimit të historisë së vërtetë të kombit dhe atdheut të copëtuar në disa shtete. Që në këtë moshë, ende fëmijë, Rafiu i jepte shenjat e para të mbylljes në botën e vet të vogël, duke filluar të mendojë pët punë të mëdha të çështjes kombëtare.

Në moshën e gjimnazistit, që nga klasa e dytë, në vitin 1967, ai me disa shokë të idealit, ashtu i rebeluar kalon në vepra konkrete, duke planifikuar rrëmbimin e armëve të shkollës, që shërbenin për mësimet praktike paraushtarake. Që nga ky veprim dhe aktivitete tjera propagandistike për qëllime sensibilizimi, ishte në sytë e njerëzve të UDB-së, kur edhe e përjetoi burgosjen e parë, edhe pse ende fëmijë. Veprimi i radhës ishte ai i vitit të madh 1968, kur ishte në ballë të Demonstratave të Tetovës, me ç’rast burgoset për të dytën herë. Në vitin 1972, është njëri nga themeluesit e Organizatës politike ” Kushtrimi i Lirisë”, kur edhe dënohet me 7 vjet burg. Viti 1982, duke qenë në ilegalitet, pas një veprimtarie të pandërprerë në Kosovë, Rafiun e sprovoi me ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat e armatosura policore, kur në shtëpinë e rrethuar, ai nuk u dorëzua derisa u plagos rëndë, plagë kjo që i la pasoja tërë jetës. Nga ky ballafaqim me policinë, ashtu i plagosur dërgojet në spital, e me vonë edhe para gjyqit, kur dënohet me 20 vite burg, të cilat ia përgjysmoi shpërbërja e Jugosllavisë titiste.

Kjo ishte rruga jetēsore e Rafiut, nëse mund të llogaritet jetë ajo që e kaloi burgjeve jugosllave. Ky simbol i idealit dhe rezistencës, kurrë nuk i lakmoi privilegjet nga ky shtet, sepse për te nuk ishin realizuar idealet e atdhetarëve, që një jetë ia kushtuan kauzës për bashkim kombëtar. Që nga dalja prej burgut, Rafiu, shoku im i shkollës, jetoi me shëndet të rënduar, ashtu i izoluar, i tërhequr në vehte dhe fjalëpak në takimet që kisha me te.

Këtë shkrim nekrolog për njeriun që qëndroi vetikalisht dhe i pathyeshëm edhe në torturat më çnjerëzore, desha ta mbyll me dy vargje të Azem Shkrelit: Në sytë e tij/ Vetëm harroi perëndimin dita!
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Rafi Halilit, modelit të shqiptarit të pathyeshëm, njeriut të pandalshëm për liri e bashkim kombëtar!