Berisha para selisë së PD-së: Këtë bunker do e shndërrojmë në shtëpi të lirisë

Sali Berisha ka mbërritur këtë të shtunë në selinë e Partisë Demokratike. Para hyrjes kryesore të PD-së Berisha tha se demokratët kanë hyrë në shtëpinë e tyre, pasi sipas tij askush nuk ka të drejtën t’u mbyllë derën e shtëpisë.


“Të kthejnë këtë bunker të Lulzim shëmtirës, në shtëpinë e tyre të lirisë, po komunikoj me referendarët e lirisë. Shikoni si e kanë mbushur, postblloqe pas postblloqesh Edvin Rama ka që dje pasdite deri sot që përgatitet në ndihmë të Luzim pengut. Është proces. Kthim në shtëpinë e lirisë siç e ka statuti i saj. Është i rrethuar nga gardistët me kundragaz me mjete. Ai është rrethuar nga gardistët”, tha ish-kryeministri.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me anë të një postimi në median sociale Twitter ka reaguar për situatën në selinë e PD-së.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit”.

Ajo u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ushtrojnë qetësi.

“Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi”, ka paralajmëruar Kim.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga hyrja e banesës së tij u ka bërë thirrje mbështetësve në seli të vetëpërmbahen.

Por duke theksuar këtu se “nuk ka njeri të drejtë t’u mbylli derën e shtëpisë”.
Sipas tij, nëse Policia do të ndërhyjë do të jetë vetëm me urdhër të “kryeministrit shqiptar, Edi Rama”.

“Protesta është dhe do të mbetet protestë paqësore. Ftoj të gjithë protestuesit, demokrate dhe demokratë që sot do të ndërrojnë bunkerin e Peng Bashës në shtëpinë e lirisë”, deklaroi ai për mediat.

I shoqëruar nga truprojat Berisha u nis për në seli, aty ku janë grumbulluar mbështetësit e tij.