Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, nuk e fshehu mërzitjen për eliminimin në kohën shtesë nga Reali i Madridit (3-2) në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.


Gjithsesi, tekniku i “blaugranave” tha se duke përjashtuar minutat e para, e kishte parë skuadrën e tij në një nivel më të lartë, çka jep shpresë për të ardhmen.

“Mendoj se kemi qenë më të mirë se Madridi për sa i përket dominimit të lojës. Ishim të kujdesshëm në tranzicion dhe kjo është mënyra e duhur për të qenë konkurrentë. Mund të jemi krenarë sepse kemi konkurruar kundër tyre dhe është një hap përpara, pavarësisht rezultatit. Jemi në rrugën e duhur”, tha tekniku i katalanasve.

I pyetur për disa lojtarë, si Ansu Fati, Pedri, apo debutuesi Ferran Torres, trajneri i Barçës shpjegoi: “Të tre e kanë ndihmuar ekipin dhe do ta ndihmojnë shumë, si Ferrani, Pedri, Ansu Fati. E pamë se çfarë është në gjendje të bëjë Ansu, u fut në pjesën e dytë dhe bëri diferencën”.