Alarmohet Serbia, “po tentohet vrasja e Vuçiqit”

 


Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, në një konferencë për media, ka thënë se institucionet e Serbisë ishin njoftuar më 14 janar se një grup kriminal ka për qëllim vrasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se MPB-ja e Serbisë mori këtë informatë nga Europoli. Ka fajësuar për udhëheqje të grupit, shtetasin malazias Radoje Zvicer, ndaj të cilit Serbia kishte lëshuar urdhërarrest qysh më herët.

“Pasi u bindëm për cilësinë dhe vlerën e informacionit të marrë, pjesëtarë të MPB-së, BIA-s, bashkë me përfaqësues të Europolit dhe shërbimet partnere, nisën një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të të gjithë anëtarëve të kësaj organizate kriminale me qëllim vrasjen e presidentit Vuçiq”, ka thënë Vulini në këtë konferencë.

Sipas Vulinit, Zvicer është përgjegjës për kontrabandë e shitje të drogës dhe për disa vrasje të kryera në Serbi, Mal të Zi e vende tjera.