Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç pritet që të propozojë formimin e një qeverie të re që do të ketë më shumë mbështetje se 41 deputetë.


Mediat vendase shkruajnë se ky është një model i tejkalimit të krizës politike në të cilën u gjend Mali i Zi pasi qeveria e Zdravko Krivokapiç humbi mbështetjen e shumicës parlamentare.

Ndër të tjera raportohet se qëllimi i Abazoviçit është që të gjithë deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi t’u ofrojë formimin e një pushteti të ri ekzekutiv në të cilin nuk do të kishte vend për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të PDS dhe Frontit Demokratik.

Në thelb, ai është një koncept i një qeverie të pakicës që do të mbështetej nga të gjitha partitë parlamentare apo koalicionet që trashëgojnë idetë e integrimit euroatlantik në parimet e tyre programore.

Ndër të tjera mediat shkruajnë se Abazoviç në një drekë pune në Ulqin i ka njoftuar drejtuesit e sektorit të sigurisë, ministrin e Brendshëm, Sergej Sekuloviç, dhe drejtorin e Drejtorisë së Policisë, Zoran Brdjanin, si dhe bashkëpunëtorët më të afërt për planin për të formuar një pushtet të ri ekzekutiv.

Sipas këtij plani, iniciativa për votëbesimin në qeverinë e Zdravko Krivokapiç do të dorëzohej në janar, ndërsa pushteti i ri ekzekutiv duhet të formohet deri në fund të shkurtit. /abcnews.al