Java e parë e vitit 2022 po shënon rritje të numrit të rasteve të reja me Covid 19. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit, janë regjistruar 1.197 të infektuar nga 7 mijë e 483 teste të realizuara, 12 pacientë kanë ndërruar jetë, 6 prej të cilëve nga Shkupi dhe Manastiri.


Instituti i Shëndetit Publik ka prezantuar edhe një raport javor më të detajuar për gjendjen me Covid 19 në Maqedoninë e Veriut.

Nga 27 dhjetori i vitit 2021 e deri më 2 janar të këtij viti janë testuar gjithsej 35.362 qytetarë prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 2.643 persona nga 34 qytete të ndryshme. Siç raportojnë nga Instituti kjo shënon rritje të infeksionit për 37.6 % krahasuar me javën paraprake.

Mes tjerash, ky raport tregon se me Covid 19 janë përfshirë të gjitha grup moshat. Më të prekur janë ato të moshës 30-49 vjeç ndërsa numër më i vogël i të prekurve është regjistruar të grup mosha 0-9 vjeç.

Sa i përket gjinisë, ajo femërore është e përfshirë me 51.1% ndërsa ajo mashkullore me 48.9 %. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndërruar jetë 57 pacientë në 16 qytete të ndryshme.

Kur bëhet fjalë për vaksinimin, nga Instituti i Shëndetit publik bëjnë të ditur se deri më 31 dhjetor 2021 me dozën e parë të vaksinës janë vaksinuar 858.682 persona.

Me dozën e dytë janë vaksinuar 832.120 qytetarë ndërsa me dozën e tretë të vaksinës janë vaksinuar gjithsej 103.052 qytetarë.