Presidenti serb Aleksander Vuçiç deklaroi se kryeministri Rama është nën presion të fortë nga Prishtina për cështjen e Ballkanit të Hapur. Vuçiç tha se marrëdheniet mes Beogradit dhe Tiranës janë të shkëlqyera ndërkohë që reagoi edhe për djegien e flamurit serb gjatë protestës kombëtare të 20 dhjetorit.


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se Beogradi dhe Tirana kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Por kreu i shtetit serb theksoi se ky nivel i lartë i marrëdhënieve mes dy vendeve e ka vënë kryeministrin Edi Rama nën një presion të fortë nga Prishtina.

Presidenti Vuçiç ka folur me superlativa për projektin e ‘Ballkanit të Hapur’ duke thënë se mund të ndikojë në zhvillimin e të gjithë Europës.

“Ne kemi marredhenie te shkelqyera me Shqiperine dhe Rama per kete eshte ne nje lloj presioni, vecanerisht nga Prishtina. Ballkani i Hapur është projekti më i madh i paqes, që Ballkani ka bërë dhe unë besoj se “Ballkani i Hapur mund të jetë një makinë për rritjen dhe zhvillimin e të gjithë Evropës. Ne do ta mbyllim këtë vit si vendi me normën më të lartë kumulative në Evropë gjatë dy viteve të fundit. Ballkani i hapur është lufta jonë për të pasur të drejtë për një të ardhme sipas dëshirës sonë”, ka deklaruar presidenti serb.

Presidenti Vuçiç ka reaguar edhe ndaj djegies së flamurit serb gjatë protestës kombëtare të thirrur nga ish-kryeministri Berisha kundër ‘Ballkanit të Hapur’ që u zhvillua në Tiranë në 20 dhjetor.

Me një fjali që u drejtohej shqiptarëve, Aleksandër Vuçiç tha se “është e paqytetëruar të digjni flamujt e të tjerëve”.

Por vetëm 2 muaj më parë, grupe të rinjsh serbë kanë hequr dhe dhunuar flamujt shqiptarë nga rrugët e Beogradit të cilët ishin vendosur me rastin e vizitës së kryeministrit Rama në Beograd në datat 3 dhe 4 nëntor për çështjen e “Open Balkan”.