Tetovë/ U mbajt ekspozita “Kopshti shpirtëror”

Në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë është mbajtur ekspozita personale “Kopshti Shpirtëror” nga piktorja Shpëtime Sadiku.


Kjo është ekspozita e parë personale e piktores së re, ndërsa ka marrë pjesë në 20 ekspozita kolektive të vendit me pikturat e saja.

Nëpërmjet këtij cikli të pikturave me lule të vjela në fokus, Shpëtimja synon të sjellë qasje pak sa më origjinale ideo-estetike.

Sadiku për TV21 tha se pikturat janë gërshetim ndërmjet relacionit femër-lule.

“Ashtu si shumë krijues të artit pamor edhe unë për ta zbërthyer thelbin shpirtëror të botës femërore e krahasova atë me botën e luleve. Pikturimi i luleve nuk është vetëm bukuria dhe ngjyra e tyre, por ato për më tepër kanë kuptimin e metaforës së përkryer për jetën dhe gjallërinë tonë”, tha Sadiku.

Pikturat e shpalosura në këtë ekspozitë janë të punuara me teknikën akrill dhe vaj.