Rreth 9 muaj ka zgjatur hetimi për aksionin e madh policor në Kumanovë. Janë arrestuar 10 persona në dyshimin për kontrabandë, tregti dhe prodhim të paautorizuar të lëndëve narkotike, 3 prej tyre kanë qenë policë dhe 5 doganierë. Bastisje përveç se në Kumanovë është kryer edhe në shumë lokacione në Shkup, informoi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski. Ai tha se nëpërmjet rrugëve operative është marrë informacioni se të dyshuarit po përgatiteshin për të marrë një dërgesë me 13 kuti të mëdha, brenda të cilave ka pasur mbi 1 milion tableta pa ambalazh fabrike dhe pa udhëzime.


“Në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtarë në Shkup është ndalur një automjet mallrash “furgon” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga një person i cili është në afërsi familjare me dy policët e dyshuar, ndërsa njëri prej policëve ka pasur rolin e “pastruesit”, pra ta sigurojë veturën dhe dërgesën në të”, tha Spasovski.

Pasi është ndalur automjeti me dyshimin po transportoheshin pa dokumentacion të rregullt, policët kanë kërkuar ndihmë nga Drejtoria doganore, me qëllim të kontrollohen mallrat e marra nga terminali i ngarkesave.

“Drejtoria e Doganave ka dërguar një ekip të doganierëve nga Sektori për kontroll dhe hetim, të cilët me të mbërritur në vendngjarje nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore për kontrollin e mallit, por i njoftuan zyrtarët policorë se nga kontrolli i kryer nuk janë konstatuar parregullsi, gjegjësisht çdo gjë është në rregull me mallin dhe detyrimet doganore janë paguar në rregull”, tha Spasovski.

Doganierët me pretekstin se mallin do ta merrnin për kontroll shtesë në një terminal doganor në zonën e Kumanovës, me veturë zyrtare doganore, kanë “pastruar” rrugën, ndërsa mallin e kanë çuar në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.

“Nga ana e policëve kombi është gjetur në oborrin e shtëpisë së njërit prej të dyshuarve dhe me urdhër paraprak të Gjykatës Themelore Kumanovë është kryer kontroll ku janë gjetur 13 kuti të mëdha, në të cilat ndodhen gjithsej 1.555.600 tableta pa ambalazh fabrike dhe pa udhëzime, të një kompanie egjiptiane”, tha Spasovski.

Personat e dyshuar janë të moshës 35-53 vjec, ndërsa janë nga Kumanova, Tetova dhe Shkupi. Spasovski theksoi se hetimi ende vazhdon për të parë nëse ende ka zyrtarë policorë dhe doganier të përfshirë në veprën penale për kontrabandë dhe tregti me lëndë narkotike.