Zelanda e Re do të ndalojë shitjen e duhanit për gjeneratën e ardhshme, në një përpjekje për të eliminuar përfundimisht përdorimin e duhanit.

Të gjithë të lindurit pas vitit 2008 nuk do të mund të blejnë cigare apo produkte duhani gjatë jetës së tyre, sipas një ligji që pritet të miratohet vitin e ardhshëm.

“Ne duam të sigurohemi që të rinjtë të mos fillojnë kurrë të pinë duhan,” tha ministrja e Shëndetësisë Dr Ayesha Verall.

Lëvizja është pjesë e një goditjeje gjithëpërfshirëse kundër duhanpirjes të shpallur nga ministria e shëndetësisë e Zelandës së Re të enjten. Mjekët dhe ekspertët e tjerë të shëndetësisë në vend kanë mirëpritur reformat, të cilat do të reduktojnë aksesin në duhan dhe do të kufizojnë nivelet e nikotinës në cigare.

“Kjo do t’i ndihmojë njerëzit të heqin dorë ose të kalojnë në produkte më pak të dëmshme dhe do të ketë shumë më pak të ngjarë që të rinjtë të varen nga nikotina,” tha Profesor Janet Hook nga Universiteti i Otagos.

Vendimi është pritur me reagime të ndryshme. Ndërsa shumë e kanë pritur pozitivisht, të tjerë kanë paralajmëruar se masa mund të krijojë një treg të zi për duhanin – diçka që deklarata zyrtare e ministrisë së shëndetësisë e pranon, duke vënë në dukje se “doganat do të kenë nevojë për më shumë burime për të zbatuar kontrollin kufitar”.

Zelanda e Re është e vendosur të arrijë një objektiv kombëtar për të reduktuar shkallën kombëtare të duhanpirjes në 5% deri në vitin 2025, me synimin për ta eliminuar atë krejtësisht.

Ministria e Shëndetësisë e Zelandës së Re thotë se pirja e duhanit shkakton një në katër kancere dhe mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme për popullsinë e saj prej 5 milionë banorësh.

Qeveria prezantoi gjithashtu kontrolle të mëdha të duhanit, duke përfshirë kufizimin e ndjeshëm të vendit ku mund të shiten cigaret për t’i hequr ato nga supermarketet dhe dyqanet kioska.

Numri i dyqaneve të autorizuara për të shitur cigare do të reduktohet në mënyrë drastike në nën 500 nga rreth 8,000 që është tani, thonë zyrtarët.

Vitet e fundit, pirja e cigareve elektronike që prodhojnë avull që jep gjithashtu nikotinë – është bërë shumë më e përhapur në mesin e brezave të rinj sesa cigaret. Megjithatë, autoritetet shëndetësore të Zelandës së Re paralajmërojnë se avulli nuk është i padëmshëm. Studiuesit kanë gjetur agjentë të rrezikshëm që shkaktojnë kancer edhe në lëngjet e cigareve elektronike.

Por në vitin 2017 vendi miratoi cigaret elektronike si një rrugë për të ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin.