Harta e KosovësMarrëveshja finale në duart e SHBA-ve?! Vjen paralajmërimi për rrezikun nga AsociacioniAsociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë prelud për krijimin edhe të një shteti serb, por brenda shtetit të Kosovës.
Ka afër 11 vite që bisedohet me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por ende nuk dihet se kur mund të ketë një marrëveshje finale.


E këtë e synon gjatë mandatit të tij kryeministri Albin Kurti.

Së fundmi, duke folur për marrëveshjen me Serbinë, ai ka thënë se dëshiron që të ketë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila e definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke në qendër, marrëveshje përveç që është e obligueshme për njohje reciproke. Emisarët që na vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe raportin e saj me Serbinë”, ka thënë Kryeministri.

Por, sa është e mundur të arrihet kjo, kur pritet arritja e një marrëveshje finale dhe sa ndikon në gjithë këtë çështje Asociacioni për të cilin Serbia dhe BE-ja insistojnë e në anën tjetër po Serbia vazhdon të thotë se nuk do ta njohë Kosovën si shtet?

Shahu: Kosova duhet ta formojë një asociacion ojq, asgjë më shumë

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu.

Ai ka thënë se deklarata e Kurtit nuk është e qartë dhe dëshiron të blejë kohë, por që çështja është fund.

“Deklarata e z. Kurti me fjalë e terma vështirësues nuk është e qartë, e prerë. Ai vazhdon të kërkojë kohë, ta shtyjë vendimin final për marrëveshje me Serbinë. Atij i duket se tani me z. Kurti fillon bota, Kosova, Amerika, BE-ja dhe Serbia. Në fakt çështja është në fund, ndeshja është në minutat e fundit. Kosova me anë të Amerikës dhe gjakut të shqiptareve është në avantazh, ka fituar Kosovën shtet të lirë e të pavarur, Serbia ka humbur Kosovën. Tani kërkohet marrëveshje mes tyre me njohje të ndërsjellët”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Kosova edhe pse ka paguar me gjak, duhet sërish të paguajë për këtë marrëveshje e që sipas BE-së, ajo duhet ta formojë asociacionin, por si ojq.

“Kosova duhet të paguajë diçka për këtë marrëveshje edhe pse ka paguar me jetë njerëzore, me gjak. Por, pasi Serbia është shitur si viktimë, Evropa kërkon që Kosova të paguajë në mos me territor, të paguajë me miratimin e asociacionit të komunave serbe me fuqi OJF, jo ekzekutive, me fuqinë e një organizate joqeveritare. Asociacioni nuk mund të jetë organizatë qeveritare. Çfarëdo asociacioni serb që të krijohet në Kosovë nuk ka fuqi e aftësi të mbijetojë apo ndikojë në shumicën shqiptare që ka aftësi të shuajë çdo gjë jo shqiptare. Asociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë shtet serb brenda në shtetin e Kosovës, nuk mund të jetë shtet në shtet. Serbët ose do të integrohen në shtetin e Kosovës ose do të shqiptarizohen”, ka vlerësuar analisti.

Ai shton së Kosova sa më shpejt që bëhet kjo, edhe marrëveshja finale do të arrihet derisa shton se na ka çliruar Amerika dhe duhet plotësuar edhe kërkesat e tyre, pasi askush nuk ka kohë të merret gjithmonë me Kosovën dhe problemet e saj.

“Sa më parë ta zbatojë Kosova këtë kusht që i kërkohet aq më shpejt besoj mbyllet biznesi i varavingave për marrëveshje finale. Pa një marrëveshje nuk mund të mbetet. Ata që bëjnë trimin pas beteje dhe kërcënojnë nënshkrimin e saj, janë jashtë realitetit. Derisa nuk jemi çliruar vetë, por na ka çliruar Amerika e NATO-ja, ne do të plotësojmë edhe kërkesat e tyre sepse nga mbrojtja e tyre varet siguria jonë. Çdo moskuptim i realitetit nga politikanët i shndërron ata në kukulla llastimi. Kosova ka në dorë ta mbyllë më shpejt këtë cikël. Çdo zvarritje e shtyrje e marrëveshjes besoj do të jetë në dëm të Kosovës. Askush nuk ka gjithmonë kohë të merret me Kosovën, as Amerika as Evropa, sepse koha nxjerr gjithmonë probleme ngado”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Asociacioni mund të acarojë raportet Kosovë-Serbi në dialog

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, thotë se nuk ka ambient për pajtim në mes të dy vendeve derisa Serbia e kushtëzon dialogun me formimin e asociacionit.

“Nëse bazohemi në gjendjen aktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, nuk ka një ambient për pajtim në mes të dy vendeve, por shihen si raporte të avancuara, e që shteti i Serbisë e ka braktisur edhe tryezën e bisedimeve në Bruksel duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut më themelimin e asociacionit, e që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka quajtur si marrëveshje të vdekur krijimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive”, thotë ai.

Sipas Krasniqit, edhe pse BE-ja dhe Serbia kërkojnë formimin e Asociacionit, SHBA-ja ka bërë të ditur se nuk do të ketë forcë ushtarake siç duan serbët.

“BE-ja apo përfaqësuesit e saj po kërkojnë që Qeveria e Republikës së Kosovës t’i respektojë marrëveshjet që ka nënshkruar në mes të dyja vendeve, por një sinjal ka ardhur edhe nga SHBA-të që ia bën me dije Serbisë se nuk do të ketë forcë ushtarake serbe në Kosovë, siç e parasheh asociacioni”, ka theksuar analisti.

Ai shton se asociacioni nuk garanton pajtim më Serbinë, por që mund t’i bllokojë përkohësisht bisedimet dhe t’i acarojë raportet, mirëpo marrëveshja finale do të ndodhë kur SHBA-të të vendosin.

“Marrëveshja për asociacionin nuk garanton një pajtim më Serbinë, pasi që kemi shumë çështje të tjera më të rëndësishme se kjo, është fati i të pagjeturve, kompensimi i dëmeve të luftës, kërkimfalja, e shumë e shumë obligime tjera. Mund t’i ngadalësojë apo bllokojë përkohësisht bisedimet në Bruksel mos themelimi i asociacionit, e ndoshta edhe t’i acarojë, mirëpo marrëveshje finale vjen atëherë kur SHBA-të thonë se mjaft ishte deri këtu, duke i vënë vetë kornizat e marrëveshjes”, ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.