Pse Sela fshihet pas organeve partiake për dorëheqjen?

Koment-TetovaSot


Dramat politike për rrëzimin e Qeverisë mbaruan. Qe më shumë një gënjeshtër dhe manipulim për të harruar diçka tjetër që ka të bëjë me karrierën personale të një humbësi. Qeveria po konsolidohet gjithnjë e më shumë, ndërsa diçka mbetet pezull në këtë histori- dorëheqja e Ziadin Selës i cili nuk ka se ku fshihet më. Ai harxhoi të gjitha “jetët” politike deri tani dhe atyre që e mbështetën, jo që nuk u solli kurrë fitoren, por akoma më keq në zgjedhjet e fundit ai e zhyti partinë e tij në një disfatë akoma më të thellë. Ai e humbi madje edhe një partner koalicioni për të cilin sa më shumë që flet kundër tyre, aq më shumë dëshiron ta fshehë përgjegjësinë personale të humbjes, por tashmë ai është fund e krye i lexuar.

Në fakt këtë kameleonizëm politik e kanë kuptuar të gjithë. Sela nuk po shkulet dot nga partia dhe po tregon se partia është e liderëve dhe jo e dikujt tjetër. Edhe ti mbash peng gjithë këto vite disfate njerëzit e tu, shqiptarët që nuk mund më të qëndrojnë opozitarë të përjetshëm me humbës të tillë, edhe kjo është deri diku një lloj regjimi ose më keq është rrëshqitje në një diktaturë të heshtur ku zëri ndryshe nuk dëgjohet asnjëherë. Streha e fundit politike e kreut të Aleancës për Shqiptarët janë organet e tij partiake. Madje ai në fakt përmes ” satelitëve ” të tij ka filluar të shpërndajë idenë në publik se ” liderët” e mëdhenj lindin rrallë dhe s’mundet pa ta. Por liderët e mëdhenj fitojnë dhe kur humbin ata ikin.

Sela ka instaluar idenë se ASH nuk mund pa të qoftë edhe nëse i humb shtatë cikle zgjedhore rresht. Ai gjithnjë e ka një arsyetim.

Regjimi është bërë një fjalë që përsëritet pandërprerë në fjalorin e tij dhe kjo është bërë sinonim i shkatërrimit. Ekziston një përgjegjësi e humbjes mbi të gjitha, ose në fakt duhej të ekzistonte.
Kur Sela u shkëput nga partia ëmë pra PDSH, të gjithë i besuan, duke menduar se është fryma ndryshe, sepse humbjet serike të paraardhësit të tij e kishin kaluar çdo limit të durimit të mbështetësve që nuk mund më të lejonin të shihnin para syve disfatat parreshtur.

Kur Sela iku prej atje, mori me vete edhe disa ” principe” dhe në fakt çuditërisht ai nisi me përpikshmëri ti zbatojë në mënyrë identike edhe në veprimin e tij si lider. Ai jo që nuk është Menduh Thaçi, por ka rrëshqitur akoma më keq.

Ai po përpin fjalët e tij kundër ish liderit të tij dhe po vepron akoma më keq se sa ai. Sela me organet partiake të tij pas të cilëve po fshihet dëshiron ti përgatisë të gjitha skenarët për të qëndruar akoma në kreun e partisë në një Kongres të orkestruar fiks siç i përshtatet atij me një fund të lumtur për Selën.
E para për ti bindur se nuk ka kush e zëvendëson atë dhe e dyta, akoma më keq, të jep një dorëheqje” formale” dhe mos ia pranojnë atë.

Në këtë mënyrë edhe e fashit revoltën që kanë njerëzit nga humbja, edhe kthehet për një ” fillim” të ri, me të njëjtin ekip humbës që duket se nuk e japin njëri-tjetrin sepse ata me Selën vazhdojnë rrugëtimin politik siç Sela me ta vazhdon po të njëjtin rrugëtim. Por këto veprime kanë treguar se lufta e pakompromis për të qenë dhe zaptuar partinë me klanet bashkë, e ka çuar drejt amshimit politik secilin dhe partitë e mëdha i ka shndërruar në grimca të vogla, pa peshë, pa mbështetës dhe drejt shuarjes .